Të paktën 34 persona kanë vdekur pasi kanë konsumuar alkool të paligjshëm toksik në shtetin jugor indian të Tamil Nadu, kanë thënë zyrtarët.
Incidenti ndodhi në distriktin Kallakuruchi ku disa banorë u sëmurën pasi konsumuan pijet alkoolike të martën në mbrëmje.
Të paktën 80 persona po trajtohen në spitale për sëmundje të tilla si diarreja e tepërt dhe zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej, shkruan BBC.
Deri tani janë arrestuar dy persona dhe një hetim më i gjerë është duke u zhvilluar.
Autoritetet kanë suspenduar gjithashtu një zyrtar të lartë të policisë dhe dhjetë anëtarë të njësisë së zbatimit të ndalimit të shtetit – e cila mbikëqyr kontrabandën e alkoolit të paligjshëm në shtet – për neglizhencë.
Dhjetëra njerëz vdesin çdo vit në Indi pasi pinë alkool të paligjshëm nga distileri të fshehta.
Prodhuesit e paligjshëm shpesh shtojnë metanol – një formë shumë toksike e alkoolit që ndonjëherë përdoret si antifriz – në përzierjen e tyre për të rritur fuqinë e tij.
Nëse merret në sasi të vogla, metanoli mund të shkaktojë verbëri, dëmtime të mëlçisë dhe vdekje.
Në Kallakuruchi, të akuzuarit dyshohet se shisnin përzierjen në pako përmes një shitësi lokal, sipas faqes së internetit The Neës Minute.
Ata që konsumuan alkoolin përjetuan simptoma si marramendje, dhimbje koke, të vjella, nauze, dhimbje barku dhe irritim të syve dhe u dërguan në spital.
Kryeministri i Tamil Nadu, MK Stalin, ka shpallur një kompensim prej 1 milionë rupi (12,000 dollarë) për familjet e atyre që kanë vdekur dhe 50,000 rupi për secilin prej atyre që janë shtruar në spital.
“Ata që janë përfshirë në krim janë arrestuar. Masa është marrë gjithashtu kundër zyrtarëve që nuk arritën ta parandalonin”, shkroi ai në X.
Por partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për dështimin në frenimin e alkoolit toksik në shtet.
“Vdekjet e shkaktuara nga alkooli i paligjshëm në dy vitet e fundit nën regjimin e DMK [Dravida Munnetra Kazhagam] kanë ngadalësuar Tamil Nadun me katër dekada, duke na kthyer pas në vitet 1980”, tha K Annamalai, kryetari shtetëror i Partisë Bharatiya Janata (BJP).
Ai kërkoi që ministri përgjegjës për mbikëqyrjen e shitjes së alkoolit të japë dorëheqjen menjëherë.