Sulmet ajrore izraelite në dy shkolla në veri të qytetit të Gazës kanë vrarë 17 palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, dhe lanë të paktën 63 të plagosur, sipas zëdhënësit të Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal.
“Shkollat u shënjestruan për herë të dytë me tre raketa, duke rezultuar në 17 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, të cilët u transportuan në Spitalin Baptist në qytet”, tha Basal.
Sipas Mbrojtjes Civile të Gazës, shkollat po përdoreshin si strehimore për njerëzit e zhvendosur.Bëhet e ditur se në shënjestër ishin shkolla Al-Huda dhe Al-Hamama, të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe ndajnë të njëjtin shesh lojërash.
Të pyetur për koment mbi sulmet ajrore, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se Forcat Ajrore izraelite (IAF) goditën terroristët e dyshuar që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të Hamasit, shkruan CNN.
“Pak kohë më parë, me drejtimin e inteligjencës së IDF dhe ISA, IAF goditi terroristët që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të Hamasit. Në të kaluarën, kompleksi njihej si shkolla Hamama në Rripin verior të Gazës”, tha IDF në një deklaratë.
Pas goditjes fillestare, më shumë se tre raketa goditën zonën në një sulm “të dyfishtë”, sipas Basal.
“Bombardimi i parë ishte i papritur dhe rezultoi me një numër të madh të të vdekurve dhe të lënduarve. Ndërsa të vdekurit dhe të plagosurit po nxirreshin, forcat pushtuese lëshuan një paralajmërim se një tjetër sulm ishte i pashmangshëm”, tha Basal.
Siç raportohet, Mbrojtja Civile në Gazë publikoi një listë me emrat e individëve të vrarë, duke treguar se të paktën tre nga të vdekurit ishin femra.
“Deri më tani nuk e kemi numrin përfundimtar të vdekjeve, por numri fillestar është 17, shumica prej tyre ishin fëmijë, deri më tani për shkak të operacionit të shpëtimit ne ende nuk jemi në gjendje të japim një numër përfundimtar të vdekjeve”, tha Basal.
Ndryshe, Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 7 tetor, pasi grupi terrorist Hamas sulmoi Izraelin jugor.