Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Të mos biem në grackën e rusëve”, Kallas flet me Sekretarin Rubio pas bisedimeve ShBA-Rusi për Ukrainën

“Të mos biem në grackën e rusëve”, Kallas flet me Sekretarin Rubio pas bisedimeve ShBA-Rusi për Ukrainën

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pas takimit që ai zhvilloi në Riad me delegacionin rus të udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, lidhur me luftën në Ukrainë.

Kallas ka thënë se Rusia do të përpiqet të krijojë ndarje, duke bërë thirrje që të mos lejojnë të bien në grackën e tyre, shkruan Reporteri.net.

“Rusia do të përpiqet të na ndajë. Të mos biem në grackat e tyre. Duke punuar së bashku me SHBA-në, ne mund të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – sipas kushteve të Ukrainës”, ka shkruar Kallas.

 

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar të martën për t’i adresuar faktorët “acarues” në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe kanë nisur punën drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, ka thënë të martën Departamenti amerikan i Shtetit, duke e bërë të qartë se përpjekjet janë ende në fazat e para.

Ukraina ndërkaq ka thënë se bisedimet janë mbajtur “për Ukrainën, pa Ukrainën”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, që ka udhëhequr delegacionin e SHBA-së, ka thënë se palët janë pajtuar edhe për të rivendosur stafin e ambasadave dhe që, pos diskutimeve për paqe në Ukrainë, ekipet negociatore do të promovojnë edhe bashkëpunim ekonomik.

Rubio ka folur edhe për mungesën e Ukrainës dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian në tavolinën negociuese.

Ai ka thënë në një konferencë për media se “askush nuk është lënë mënjanë”, dhe që dikur edhe BE-ja do të jetë pjesë e negociatave, sepse edhe blloku evropian e ka sanksionuar Moskën.

Sipas tij, prej këtyre bisedimeve mund të rezultojnë “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Evropën, për Ukrainën, për botën”, por që “e gjitha nis me përfundimin e konfliktit”.