Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Të mendosh politikën në mënyrë plurale

Të mendosh politikën në mënyrë plurale

Shkruan: Afrim Kasolli

Për dallim nga tradita e mendimit filozofik që e afirmonte kategorinë e së vërtetes teorike-epistmes ( ἐπιστήμη), jeta politike kryesisht u bazua mbi përvojën e doxa-s (δόξα). Zakonisht ky term përkthehet si opinion. Nga ky dallim lindi edhe konflikti ndërmjet filozofisë dhe politikës. Ngase subjekt i se parës kryesisht u be e vërteta dhe mendimi dhe i së dytës veprimi sipas shtysave të aparencës.

Po ashtu, në zanafillë të këtij tensioni qëndron edhe armiqësia në mes sofisteve apo mësueseve bredharak në njërën anë, dhe traditës sokratiko-platonike, në anën tjetër. Siç dihet, të parët filluan ta promovojnë frymën e relativizmit, retorikës dhe afirmimin e asaj që është e dobishme vetëm për përvojën subjektive të njeriut. Ata i mësonin njerëzit vetëm se si ta fitonin debatin momental. Kështu “njerëzit e dijes u shndërruan më mësues të elokuencës”, për shkak të nevojave politike dhe praktike të kohës. Kurse fillimisht Sokrati dhe me pastaj Platoni i qëndruan konsekuent parimit se detyra e filozofisë duhet të jetë kërkimi konceptual dhe universal i së mirës dhe virtytit. E, nga ky tension u kristalizua edhe dallimi ndërmjet retorikës dhe dialektikës.

Mirëpo, sipas Heidegger-it, nocion i doxa-s e kishte edhe një domethënie tjetër, jo vetëm atë të opinionit, por dhe të famës, madhështisë dhe shfaqjes. Kishte te bënte me mënyrën se si na shfaqen gjërat. Dhe ky kuptim lidhej kryesisht me filozofinë paraskokratike, pra para se e vërteta si aletheia (ἀλήθεια), disklosurë, zhveshje, dukje(unconcealed), të shndërrohej në korrespodencë dhe përputhje si njohje ndërmjet idesë dhe realitetit.

Ndërkaq, për Hannah Arendt, ky term lidhet drejtpërdrejtë me hapësirën politike, atë medium ku shfaqen qeniet njerëzore, si dhe më mënyrën se si hapet bota para neve, por po ashtu me “çelnajen” tonë ndaj botës. Kështu çdo njeri e ka doxa-n e tij. Ajo se si na shfaqen gjërat. Prandaj, edhe ky term rrjedh nga folja “dokein” (δοκεῖν), dhe “dokei moi” (Δοκεῖ μοι).

Ndërkohë, në gjuhën shqipe për mënyrën se si na shfaqen gjërat, ne themi për një fenomen apo dukuri; kjo kështu “më duket mua”. Pra ekziston një ngjashmëri e habitshme ndërmjet këtyre dy formave të të shprehurit, në thelb të së cilës qëndron multiperspektivizmi për botën. Fakt ky që tregon, se edhe në kulturën tonë ka ekzistuar ajo frymë e cila e ruan dhe e afirmon këndvështrimin personal për veten dhe botën, mënyën se si subjektivisht e përjetojmë atë, për dallim nga doktrinat dhe të vërtetat monologjike. Një kusht ky i domosdoshëm edhe për ruajtjen dhe kultivimin e politikës si hapësirë e pluralitetit ndërmjet qenieve njerëzore.