Shkruan: Agron Hoti
Nuk ka pasur pamje më kalamajeske sesa kur në Kosovë po festohej para kohe fitorja e Hillary Clintonit gjersa pati fituar Trump. Po aq kalamajeske ishte animi publik i ‘popellit të mirë’ pro Bidenit kur fitoi para 4 vitesh. Ndërkohë, si Trump ashtu edhe Biden na treguan që Kosova dhe shqiptarët e kanë jetike të rreshtohen pas SHBA-së pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet atje. Po ashtu, Trump e Biden na treguan që politika e SHBA-së ka konsistencë afatgjatë, pavarësisht se kush ulet në Shtëpi të Bardhë.
Devijimi i Kosovës nga kursi amerikan për llogari të evropianëve që ishin ngulfatur nga rusët pati pasoja fatale për Kosovën dhe për një pjesë të politikës shqiptare. Kjo sepse Kosova u fut nën sanksione perëndimore, kurse opozita në Shqipëri në listë të zezë të SHBA-së, secila më e keqe se tjetra. Përmes kësaj, SHBA na ka treguar qartë që, pavarësisht se kush e qeveris atë (Trump apo Biden), Kosova duhet të mbajë kurs amerikan, përndryshe do të bartë pasoja. Dhe përderisa Rusia, Kina, Serbia me aleatë të tyre e shohin Kosovën si projekt amerikan, Kosova gjeti kurajon e rrezikshme t’i kthejë shpinën pikërisht SHBA-së.
Kosova duhet t’i gëzohet vetëm një gjëje: që SHBA të ngelet Superfuqia e vetme në glob sa më gjatë që të jetë e mundur. Parandalimi i SHBA-së që mbi 100 vite që Euroazia të mos bjerë me asnjë çmim nën asnjë hegjemon euroaziatik është interes jetik dhe qenësor për ekzistencën e popullit shqiptar.
Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore e parandaluan hegjemoninë euroaziatike, ashtu siç po parandalohet edhe sot në Ukrainë një aleancë e rrezikshme evropiano-ruse sipas kushteve ruse, apo siç u parandalua deri dje (nga viti 2001 deri në 2022) një aleancë tjetër po aq e rrezikshme ruso-islame sipas kushteve ruse. Në secilën prej këtyre kombinimeve euroaziatike populli shqiptar duhet të mbajë anën e SHBA-së, sepse vetëm ky rreshtim ruan ekzistencën tonë si popull.
Prandaj, Kosova dhe shqiptarët pas çdo palë zgjedhjesh në SHBA duhet t’u vërsulen me lule e dhurata ushtarëve amerikanë në Kosovë e Shqipëri që vazhdojnë ta ruajnë qenien e popullit shqiptar, e jo të marrin anë. E kemi provuar pa këta ushtarë amerikanë, edhe atë mbi 2 mijë vite ku formalisht s’kemi ekzistuar fare në hartën e botës.
Kemi harruar që gati 1500 vite ishim të pushtuar nga Perandoria Romake (lindje e perëndim), e cila na ka humbur gjurmë të papagueshme arkeologjike, mbi 500 vite ishim të pushtuar nga Perandoria Osmane, e cila duke bartur dhjetëra mijëra kokash të prera shqiptare drejt Stambollit e kishte përtharë çdo elan shqiptar, si dhe mbi 150 vite pushtim sllavo-grek, të cilët po përgatiteshin për shfarosjen përfundimtare të qenies shqiptare. Çdo gjurmë arkeologjike që gjejmë sot të thonë: kjo është romake, osmane apo sllavo greke. E kjo është pasoja e një pushtimi mbi 2000 vjeçar, ku secili pushtues ta konteston çdo gjurmë apo vlerë.
Pushtimet e gjata na kanë mbjellë thellë ndjenjën e inferioritetit si dhe na kanë shpëlarë trurin aq shumë sa sot një pjesë e jona i thur vargje lavdie pushtimit romak, një pjesë tjetër pushtimit osman, kurse një pjesë tjetër pushtimit sllavo-grek.
Prandaj, zgjedhjet në SHBA duhet t’i shohim si një proces të përkohshëm, ndërsa aleancën me SHBA të përjetshme, kjo sepse populli shqiptar, pavarësisht vështirëve, s’ka jetuar kurrë më i lirë, më mirë dhe më në mirëqenie sesa sot.
Prishtinë, më 26 korrik 2024