Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > Të dhënat: Vdekjet pësuan rënie me 2023, por ato nga tumoret u rriten

Të dhënat: Vdekjet pësuan rënie me 2023, por ato nga tumoret u rriten

Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2023, është 21.286, duke shënuar 11,3% vdekje më pak, krahasuar me vitin e kaluar. Jetët e humbura nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe ato të frymëmarrjes shënuan rënie gjatë vitit të kaluar por ato me sëmundje tumorale shënuan rritje.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” zënë peshën më të madhe në totalin e vdekjeve të regjistruara me 51,7%, duke vazhduar të jetë shkaku kryesor i vdekjeve. Krahasuar me vitin paraardhës, vdekjet nga kjo grup-sëmundje kanë shënuar rënie me 15,9%.

“Sëmundjet kronike të zemrës” (37,4%), “Sëmundjet ishemike të zemrës” (24,4%) dhe “Sëmundjet e enëve të trurit” (24,2%) zënë peshën më të madhe të vdekjeve në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbën grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve (20,9%). Krahasuar me vitin e kaluar, janë shënuar 8,6 % më pak humbje jete. Vdekje nga pleqëria përbën 73,7% të vdekjeve për këtë grup-sëmundje.

Grup-sëmundja “Tumoret” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7% të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2% më shumë humbje jete. Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0%), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2%) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje.

Krahasuar me vitin 2022, vdekjet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të frymëmarrjes” zënë peshën kryesore në rënien gjithsej të vdekjeve të regjistruara gjatë vitit 2023.

Nga 21.286 të vdekur gjithsej, 53,8% janë meshkuj dhe 46,2% janë femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës, përkatësisht 53,6% femra dhe 50,0% meshkuj. Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun e dytë kryesor të vdekjeve për të dyja gjinitë, ku përqindja e vdekjeve te femrat është më e lartë se te meshkujt, 24,3% me 18,0%. Grup-sëmundja e tretë vijon me “Tumoret”, me përqindjen më të lartë të vdekjeve te meshkujt (18,0%) krahasuar me femrat (12,9%).

Për grup-moshën 0-19 vjeç, pesha më e madhe e humbjeve të jetës lidhet me grup-sëmundjet “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” (29,5%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (20,3%). “Dëmtime traumatike dhe helmime” (32,4%) dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” (27,0%) përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç.

Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”. Analizuar sipas shkakut të vdekjeve, në grup-sëmundjen “Tumoret”, përafërsisht gjysma e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 65-79 vjeç (49,6%). Në grup-sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”, 51,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës mbi 80 vjeç.

“Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” përbën shkakun kryesor të vdekjeve për grup-moshën mbi 80 vjeç (75,3%). Ndërkohë, në grup-sëmundjen “Dëmtime traumatike dhe helmime”, 31,3% e humbjeve të jetës i përket grup-moshës 45-64 vjeç.

Në vitin 2023, në secilin qark, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet nga grup-sëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndjekur nga “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” dhe “Tumoret”. Tumore Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë Sëmundje të tjera./ Monitor

Powered by WordPress