Tatuazhe të përkohshme në kokë për të monitoruar aktivitetin cerebral. Qëllimi është të diagnostikohen sëmundje si epilepsia, konvulsionet, tumoret e të tjera shqetësime shëndetësore. Alternativë inovative është vënë në provë nga një grup universitetesh amerikane, dhe boja që aplikohet në kokë, qëndron vetëm 24 orë.
Procesi është shumë më i shpejtë dhe i thjeshtë në krahasim me metodën aktuale me elektroda EEg dhe sipas testeve tatuazhet e përkohshme janë në gjendje të regjistrojnë aktivitetin cerebral me shumë pak interferencë. Boja qëndron aktive dhe e qëndrueshme, mund të aplikohet mbi flokë dhe në momentin që aplikohet funksionon si një sensor mjaft i hollë.
Teknologjia e re e cila aktualisht u eksperimentua në 5 pacientë është shpjeguar në revistën shkencore ndërkombëtare “Cell Biomaterials”.