Asociacioni i komunave të Kosovës thotë se bizneset në Kosovë që nga janari i vitit 2025 do të nisin të paguajnë tatimin në pronë me shkallën tatimore progresive. Sipas tyre në bazë të ligjit të ri bizneset rrezikojnë të paguajnë tatim në pronë deri në 300% më shumë se sa paguajnë aktualisht. Për këtë çështje reagim patën edhe partitë në opozitë pasi sipas tyre me ligjin e ri më së shumti do të dëmtohen bizneset të cilat kanë vlerë dhe hapësirë të madhe. Ndërsa të shqetësuar janë shprehur edhe përfaqësues biznesesh sipas të cilëve rritja e taksës për tatimin në pronën komerciale do të ketë ndikim negativ edhe tek investitorët e huaj
Në muajin e parë të vitit 2025, mbi bizneset kosovare pritet rëndojnë edhe një barrë jo pak e lehtë. Në fakt nga një janari në bazë të ligjit të ri për tatimin në pronë pritet që pronave komerciale t’u rritet tatimi, siç thuhet, deri 300%.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se në vitin 2024 tatimi në pronë u rrit për qytetarët, ndërsa vitin që vjen do t’i godasë bizneset apo pronat komerciale dhe në këtë mënyrë, sipas tij, do të goditet ekonomia e vendit.
“Kjo normal që shkon zingjir sepse ai e rritë tatimin, bizneset e rrisin qeran, rriten produktet rriten çmimet dhe në këtë mënyrë qytetarët do mbesin pa punë”, tha Ibrahimi për rtv21.
Aktualisht shkalla tatimore për pronat komerciale është 0.17% e vlerës së pronës. Në bazë të shkallës tatimore progresive komunat kanë hapësirë që të tatimojnë një pronë prej 0.10% të vlerës së saj deri në 1%. Në këtë mënyrë nëse vlera e një prone biznesore është 7 milionë euro dhe e njëjta me ligjin aktual ka paguar tatim rreth 12 mijë euro me shkallën tatimore progresive i bie të paguaj tatim mbi 26 mijë euro. Ndërkohë për pronat me vlerë mbi 100 milionë euro, bizneset do të paguajnë tatim minimalisht rreth 600 mijë euro.
Kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se shkalla progresive tatimore nuk duhet të aplikohet në këtë periudhë, pasi sipas tij, ligji do të largojë edhe më shumë investimet e huaja, të cilat edhe ashtu janë të pakta në vendin tonë.
“Në vend se të krijojnë lehtësira për bizneset këta krijojnë vështirësi”, tha Shahini.
Në këtë situatë komunat vlerësojnë se gjenden para një akti të kryer.
Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, thotë se krejt çka mund të bëj komuna është të zbatojë shkallën tatimore progresive më të ulëtën e cila është 0.10% e vlerës së pronës komerciale.
“Krejt çka mund të bëjmë është që të zbatojmë shkallën më të ulët progresive sepse kjo është vendim i ministrisë së financave dhe aktualisht ne nuk e kemi në dorë të anulojmë ose të vendosim për një gjë të tillë” tha Lushtaku për rtv21.
Ministria e financave si rëndom, nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje. Kujtojmë se ligji për tatimin mbi pronë, i miratuar vitin e kaluar, pati ngjallur pakënaqësi të shumta ndër qytetare.