I Dërguari i Posaçëm në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në vizitën e tij zyrtare në Beograd ka takuar presidentin, Aleksandar Vuçiq
Pas takimit me të, Lajçak në platformën “X” ka thënë se kanë bërë një bilanc mbi gjendjen në dialog si dhe kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhëneve mes dy vendeve.
“Me të mbërritur në Beograd këtë mëngjes, u takova me Presidentin, Aleksandar Vuçiq. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Pas kësaj vizite, Lajçak nesër do të jetë në Prishtinë.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ky i fundit bëri të ditur se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në dialog.
“Mund të konfirmoj se i Dërguar Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi do të takohet me presidentin serb Vuçiq sot në Beograd dhe nesër do të jetë në Prishtinë për takime me homologët e Kosovës. Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Stano. /TV Arbëria