Në kuadër të zbatimit të Deklaratës së përbashkët trepalëshe të nënshkruar në vitin 2025, sot është mbajtur takimi trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.
Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, dhe gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse, ndërveprimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat për zbatimin e mëtejshëm të Deklaratës.
“Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Tutje theksohet se deklarata e përbashkët trepalëshe po ashtu konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
“Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar”, thuhet tutje në njoftim