Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se është takuar me ish-komandantin e UÇK-së, Haxhi Shala, pas lirimit të këtij të fundit nga paraburgimi në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Lladrovci ka thënë se takimi me të, pas një kohe të gjatë, ishte mjaft emocional, pasi rikujtuan ngjarje të ndryshme dhe në veçanti pasojat e një procesi që ai e cilësoi të padrejtë.
Sipas tij, zhvillimet që lidhen me drejtësinë në Hagë kanë lënë shumë pikëpyetje, duke përmendur dëshmitarë jokredibilë, kohë të pabarabartë për trajtimin e çështjeve dhe akuza që, sipas tij, ngjajnë me ato të ish-regjimit jugosllav.
Ai shtoi se me komandantin e njohur si “Topi” diskutuan edhe për rrethanat e burgimit të tij, akuzat me të cilat u përball dhe periudhën mbi dyvjeçare që kaloi në paraburgim.
Në fund të takimit, Lladrovci tha se në shenjë nderimi i dhuroi librin Përjetësia e dyfishtë, të autorit Bedri Islami, kushtuar heronjve Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Lladrovci.