Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, sot ka bërë të diur se ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet në veri.
Tajani ka potencuar se Kurtit dhe Vuçiqit u ka kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme.
“Tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon. I telefonova presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, duke i kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme. Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan.”, ka shkruar Tajani në Twitter.
Që nga e enjtja në mbrëmje në komunat veriore kanë ndodhur disa shpërthime të shok-bombave e të shtëna me armë zjarri, me këtë rast, janë shtuar patrullimet dhe prezenca policore. Po të enjten në mbrëmje, nga grupet ekstremiste në atë pjesë të vendit është sulmuar një patrullë policore, ku ka mbetur i lënduar një polic. Sulme ka pasur edhe ndaj gazetarëve.
Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa ato për kuvende komunale më 25 dhjetor. E para disa ditëve, derisa zyrtarët e KQZ-së bashkë me zyrtarë policorë janë penguar që të hyjnë në ambientet e KKZ-ve në komunat veriore. /TV Arbëria