Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani bëri thirrje të premten për ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara në përgjigje të presionit migrator nga Afrika që po shkakton një rritje të konsiderueshme të mbërritjes së emigrantëve dhe refugjatëve nga deti në Itali.
“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë atë që po ndodh në Afrikë, do të flasim për këtë edhe në Kombet e Bashkuara”, tha Tajani në margjinat e asamblesë vjetore të Confindustria në Romë.
“Gjatë misionit tonë ne absolutisht duhet të kërkojmë një prani të OKB-së sepse situata në Afrikë nuk është (thjesht) shpërthyese, ajo tashmë ka shpërthyer,” shtoi ai.
“Duhen masa për ndalimin e flukseve migratore”, vijoi Tajani.
“Ne duhet të ecim përpara me riatdhesimet” e njerëzve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Evropë, tha ai. “Evropa nuk mund të pretendojë se asgjë nuk po ndodh dhe unë jam i bindur se Franca do t’i kuptojë problemet tona”, shtoi Tajani, duke paralajmëruar misione në Paris dhe Berlin, “sapo të kthehem nga Shtetet e Bashkuara”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha të premten se ka një “detyrë solidariteti evropian” për Lampedusa, duke shtuar se “vendimet do të merren me Italinë”./ANSA
/TV Arbëria