Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Tahiri: Qeveria po mashtron duke vepruar kundërligjshëm, pagat rriten vetëm nëse amandamentohet ligji

Tahiri: Qeveria po mashtron duke vepruar kundërligjshëm, pagat rriten vetëm nëse amandamentohet ligji

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë se “në esencë është skandaloze” ajo çfarë u tha në konferencën e djeshme për media, ku kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati dolën për të njoftuar për një rritje të pagave.

“Kulmi i dështimit”, e ka cilësuar ai konferencën e së martës.

“Konferenca e kryeministrit dhe ministrit të Financave pritej të ishte komunikimi më i rëndësishëm dhe më i shumëpritur për 80 mijë shërbyes civilë që punojnë në administratën shtetërore. Kemi pritur që në këtë konferencë t’i duartrokasim Qeverisë për ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave që tani është 110 euro. Por, ajo çka kemi parë dje në këtë konferencë, në esencë është skandaloze, në përmbajtje është mashtrim dhe në kuptimin e plotë të komunikimit të një politike publike është dështim”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Tahiri tha se “Kosova dhe Qeveria i rregullojnë pagat në sektorin publik me dy ligje: me Ligjin për Pagat në sektorin publik, ndërsa vlerën e koeficientit e rregullon me Ligjin e Buxhetit”.

Ajo çfarë ndodhi në konferencë, Tahiri thotë se “shpërfaq një mashtrim që në esencë nuk i rrit pagat”.

“Për shkak se rritja e njësive në formë hierarkike të koeficientit që gjendet në shtojcën e Ligjit të Pagave, mund të ndodhë vetëm në qoftë se ky ligj i nënshtrohet një procesi të konsultimit dhe amandamentimit në qeveri, pastaj në dy lexime në Parlament. Neni 42 në Ligjin e Pagave ku rregullohet hierarkia e koeficienteve në shtojca thotë: “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentin apo nivelin e koeficientit të pagave”. Kryeministri tha që niveli i koeficientit të pagave do të rrite 0.5% në gjashtëmujorin e parë, ndërsa nga 1 korriku deri në fund të vitit, do të rritet 1%. Me ligjin aktual, ky është një qëndrim i kundërligjshëm. Pra, është një mashtrim klasik, një manipulim me zyrtarët publikë të cilët kanë pritur që së paku koeficienti të shkojë në 135 euro”, shkroi Tahiri.

“Ajo që ka ndodhë, për momentin është e kundërligjshme, dhe për të hyrë në fuqi, do të duhej që Ligji i Pagave, të hyjë në një procedurë të procesit të konsultimit për nenin 42, apo për amandamentimin për një nen të ri, ku thuhet se paga do të rritet për 0.5% për gjashtë muaj dhe 1% për gjashtëmujorin e dytë. Ky proces e detyron Qeverinë të konsultohet me sindikatat, me zyrtarë të organizatave buxhetore të cilët sot kanë qëndrime për rangimin e koeficienteve dhe janë të pakënaqur me rregulloren që e rregullon, në veçanti në nivelin e ekspertëve të IT-ve në komuna e Polici, e lëre më në fusha tjera”, shtoi ai.

Ka vetëm një qëllim, sipas Tahirit, që Qeveria e ka bërë këtë: “për ta mashtruar një korpus prej 80 mijë njerëzve, prej të cilëve, me këtë qasje kërkon të bëjë një blerje të votës”.

“Në të njëjtën kohë, të mos reflektojë në asnjë situatë dhe në asnjë rrethanë në rritje të pagës. Rritja e pagave ka mundur të ndodhë në një proces të lehtë. Neni 32 i Ligjit për Buxhet i përcakton vlerat e koeficientit të pagës, shtesat dhe kompensimet. Vlera e tanishme është 110 euro dhe kryeministri e konfirmoi se kjo vlerë do të jetë në Ligjin për Buxhet të vitit 2025. Në bazë të kësaj qasje të Qeverisë, pagat do të mund të rriten vetëm nëse amandamentohet Ligji për Pagat”.

Ndërsa përmend çështjen e buxhetit, Tahiri thotë se në krahasimet e Qeverisë pikë referuese po merret viti 2020 dhe jo ai që e lamë pas.

“E gjithë konferenca, pikë referente dhe krahasuese nuk e ka pasur vitin që e lamë pas, e as këtë vit, por e ka pasur vitin 2020 dhe vitet para pandemike, kur e tërë bota ka qenë në krizë. Kryeministri foli për rritje të pensioneve për katër vite, që nënkupton 5 euro në vit. Po ashtu, tha që në buxhetin e personave që punojnë në administratën shtetërore, do të ketë pak më shumë buxhet. Pra, për stafin në administratë publike do të jenë 50 euro. Por, për stafin politik të shikohet sa ka qenë rritja. Të shikohet për këshilltarët politikë të kryeministrit, të vet pagës së kryeministrit që i është rritur paga mbi 600 euro, të ministrave, të zyrtarëve administrativë politikë. Ata i ka rehatuar me paga, por jo administratën shtetërore”, shkroi Tahiri.

Ai tha se “AAK-ja kërkon që mos të ketë lojë, të mos synohet blerja e votës, të mos synohet mashtrimi me një gjuhë mashtruese”.

“Por, të shkohet me një vendim të thjeshtë, me Ligjin për Buxhet dhe në nenin 32 të ngritët vlera e koeficientit nga 110 euro sa është tani, në 135 euro. Në qoftë se nuk ndodhë kjo, atëherë amandamentimi i këtij ligji është lojë politike elektorale”.

:Ajo që u tha për rritjen e qëndrueshme ekonomike, që ka qenë më e madhja, të na tregojnë se në cilin sektor është rritur ekonomia. Kryeministri foli për rritjen e punësimit me një shifër prej 75 mijë persona, por unë them që së paku 75 mijë persona kanë ikur dhe janë punësuar në diasporë. Falë një qeverisje të dobët e cila nuk e ka pasur përkushtimin e as ndjeshmërinë e njerëzve në sektorin publik dhe as atyre në sektorin privat. Rruga e shkurtë, transparente dhe llogaridhënëse do të ishte ngritja e vlerës së koeficientit. Propozimi i AAK-së është që vlera e koeficientit të jetë 135 euro dhe të barazohet me pagën mesatare në sektorin publik me vendet e rajonit. Këta po ua komunikojnë punëtorëve të administratës shtetërore se ua kemi rritur pagën 50 euro, përderisa në katër vitet e fundit inflacioni ka qenë shumë i madh, dhe secili produkt bazik është shtrenjtuar prej 20 deri në 45%. Ky është një komunikim gjysmak, i komplikuar i cili nuk e rrit pagën dhe është i kundërligjshëm”, skroi Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së tregoi se nuk e mbështesin këtë rritje.

“Andaj, ne nuk e mbështesim rritjen prej 50 euro, sepse nuk përkon as me parametrat e zhvillimit ekonomik që po flasin, as me përqindjen e inflacionit, e as me trendët e Ballkanit Perëndimor. Pra, kjo temë është një mashtrim për të blerë vota, sepse nuk mund të ndryshojë pa amandamentim të ligjit”.

Powered by WordPress