Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, gjatë mandatit të saj, ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese. Po ashtu, AAK ka kritikuar ndarjen e mjeteve financiare në kohë fushatash zgjedhore për kategori të caktuara.
Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se kjo praktikë qeverisëse do të ndryshojë pas 28 dhjetorit, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, AAK do të jetë boshti i suksesit të këtyre zgjedhjeve.
Tahiri ka akuzuar Qeverinë Kurti për blerje votash.
“Që kur kjo Qeveri ka ardhur në pushtet, veprimet e ndihmave financiare janë bërë kryesisht në periudha zgjedhore ose në fundvit. Në fundvit për të blerë vota. Ky është një gabim shumë i madh dhe një praktikë shumë e keqe. Ndërtohet një mentalitet ku nesër, secila qeveri që vjen në pushtet mund të thotë: ‘Pasi e bëri Albini, pse të mos e bëjmë edhe ne’. Unë e shoh këtë jo vetëm si një vepër jodemokratike, por edhe si një veprim me mungesë serioze të etikës qeverisëse. Kosova ka kaluar një situatë mjaft të vështirë këto katër vjet e gjysmë. Është ballafaquar me një qeveri që ka rekorde të thyera të shkeljeve kushtetuese, si dhe me një qeveri që ka dëmtuar sektorin privat, i cili siguron pagat e sektorit publik”, tha Tahiri.
Tahiri ka ngritur si shqetësim edhe raportet me aleatët ndërkombëtarë, të cilat, sipas tij, janë përkeqësuar gjatë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kjo qeveri, gjatë gjithë kohës, ka arritur të krijojë armiqësi të mëdha në tri pika thelbësore për Kosovën. E para me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dyta me Bashkimin Evropian dhe, mbi të gjitha, me Shqipërinë, shtetin amë”, ka deklaruar Tahiri.
Për këto arsye, ai thotë se qytetarët mund ta bëjnë dallimin në ditën e votimit, duke reflektuar për të ardhmen.
“Jemi në proces zgjedhor dhe na ndajnë edhe 10 ditë nga zgjedhjet. Ftesa ime e vetme për secilin qytetar të Kosovës është ta vendosë gishtin në kokë dhe të mendojë: ku kemi qenë, ku jemi dhe ku dëshirojmë të shkojmë në vitin 2026. Aleanca e ka fuqinë më të madhe në nivel lokal, sa i përket udhëheqjes dhe kontrollit të komunave, me një shumicë dërrmuese të komunave ku jemi në qeverisje. Është subjekti politik me stabilitetin më të madh dhe me listën më përfaqësuese. Ka evidencë serioze të arritjeve në pushtetin lokal, si dhe evidencë historike në menaxhimin e shtetit gjatë kohës kur kryeministër ishte Haradinaj. Arritjet janë të njohura, duke filluar nga ushtria, pavarësimi energjetik i Trepçës, Ligji i Pagave dhe shumë të tjera. Aleanca është subjekti politik me rritjen më të madhe”, theksoi ai.
Sipas Tahirit, zgjedhjet do të prodhojnë një qeveri të opozitës.
“Boshti i suksesit të këtyre zgjedhjeve e ka emrin AAK. Kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor dhe ne besojmë se qeveria do të krijohet nga opozita”, tha Tahiri, i cili është edhe kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.