Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka folur për bastisjet e djeshme në Ministrinë e Bujqësisë. Ai tha se ka “grumbull të njerëzve” të cilat janë të korruptuar dhe sipas tij të vetmen mundësi e kanë përplasjen me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.
Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Deputeti Tahiri ka thënë se nuk është dijeni se prokurori Admir Shala ka qenë aktivist i PDK-së.
“Për mua është hera e parë që po dëgjoj diçka të tillë, që personi në fjalë paska qenë aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës. Po flasim për Prokurorinë Speciale, ata janë njerëz të cilët besoj ekziston Prokuroria Speciale para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që në kohën e UNMIK-ut, kemi prokurorë që janë të angazhuar të cilët në vazhdimësi kanë qenë në krye të detyrës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nuk ka kurrfarë lidhje këtu dhe inkurajojë prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ata të Themelores që të angazhohen qe të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në cilin do nivele”, ka thënë Tahiri.
Pas bastisjeve dhe intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, Tahiri komentoi edhe deklarimet zyrtarëve të qeverisë.
“Kemi të bëjmë me një grumbull të njerëzve jashtëzakonisht të madh të shumë korruptuar dhe në anën tjetër, këta të korruptuarit duhet të solidarizohen me këta që tashmë kanë filluar hetimet ndaj tyre dhe e shohin si të vetmen mundësi një përplasje me organet e drejtësisë, ndoshta e shohin si mundësi që munden t’i shpëtojnë ndjekjes penale dhe përfundimin në burg nga krimi që e kanë kryer. Është e qartë që ne para dy ditëve e kemi denoncuar aferën për të cilën ka pasur bastisje dje”, u shpreh Tahiri.
Sa i përket ngërçit politik, Tahiri tha se kanë paralajmëruar që i votojnë disa figura të LVV-së, por jo Albulena Haxhiun.
“Ne kemi marrë pjesë në të gjitha iniciativat që janë ftuar me qëllim të daljes nga kjo krizë. Ne nuk kemi mohuar asnjë të drejtën atyre që kanë të drejtë të propozojnë si partia e parë për kryetarin e Kuvendit. Por, siç e kemi thënë në vazhdimësi është hera e parë që një pakicë parlamentare pa i pasur numrat në kuvend tenton ta zgjedh kryetarin e Kuvendit. Nuk ka ndodhë ndonjëherë që pakica parlamentare me zgjedh kryetarin e Kuvendit. Gjithmonë kryetari i Kuvendit është zgjedhur nga koalicioni që ka arritur të ketë numrat e mjaftueshëm edhe ta votojë qeverinë edhe kryetarin e Kuvendit. Pra, këta duket qartë që nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për të krijuar institucionet dhe rrjedhimisht as për të zgjedhur organet e Kuvendit”, deklaroi Tahiri.