Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri thotë se barrikadat në veri të vendit nuk do të largoheshin po të mos kishte një marrëveshje politike në mes dy shteteve, e ndërmjetësuar nga amerikanët dhe evropianët.
Sipas saj, brenda kësaj marrëveshjeje është Asociacioni për çka thotë se Kurti pranoi të diskutonte për të. Ajo kritikon Kurtit se po i mban të fshehta marrëveshjet me Serbinë derisa shton se qeveria duhet të dalë me një plan për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit.
Në një intervistë, Tahiri thotë se tërheqja e komunitetit serb nga institucionet e shtetit të Kosovës është bërë me qëllim të rritjes së presionit për themelimin e Asociacionit.
Tahiri: Barrikadat nuk do të hiqeshin pa marrëveshje politike brenda së cilës është Asociacioni
“Shumë keq po bën (Kurti) duke mbajtur të fshehtë marrëveshjen, të cilën e ka mbajtur të fshehur, pastaj në çdo tension që kemi pasur ai ka bërë një kompromis, a ishte çështja e targave, nuk u koordinua, hyri ta zbatojë nuk arriti ta zbatojë sepse minoriteti serb i keqpërdorur nga Vuçiq e refuzoi, ky as nuk e koordinoi as nuk e zbatoi, as nuk na tregoi neve opinionit, dhe kështu duke menduar që po e fsheh realitetin nga opinioni dhe populli, unë po mendoj që qeveria Kurti po mashtron vetveten, pse, për kënd janë këto marrëveshje, për Kosovën, e kujt është Kosova, e popullit, si është e mundur me i dalë ballë, për shembull e ke deklaratën e Kurtit ku thotë ‘vet e bënë barrikadat vet i hoqën’, kjo është një dyfytyrësi, një hipokrizi, pse, sepse këto barrikada nuk do të hiqeshin po të mos kishte marrëveshje politike, e ndërmjetësuar, me Serbinë, dhe brenda saj po të mos ishte Asociacioni”, thotë Tahiri.
Tahiri shprehet e bindur se kryeministri Kurti e ka pranuar Asociacionin si pjesë e procesit të marrëveshjes finale.
Tahiri: Kurti e ka pranuar Asociacionin si një pjesë e procesit të marrëveshjes finale
“Kjo marrëveshje që u arrit në mes Kurtit dhe Vuçiq dje (të mërkurën) me ndërmjetësimin e amerikan dhe Bashkimit Evropian, sigurisht pati një marrëveshje të madhe e që është pra sinjali i Kurtit që e ka dhënë që do të trajtojë Asociacionin, pra e ka pranuar, se ai ka refuzuar fare të flasë për të, prandaj jam e bindur që ka pranuar Asociacionin si një pjesë e procesit të marrëveshjes finale që do të negociohet, ai nuk ka pranuar marrëveshje, por ka pranuar të hyrë e të vazhdojë bisedën”, thotë ajo.
Sipas ish-kryenegociatores Tahiri, tregues për këtë është deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill një ditë më parë.
Tahiri: Treguesi kryesor se Kurti e ka pranuar Asociacionin është deklarata e ambasadorit Hill
“Jam e sigurt, pse, sepse unë jam njohëse e proceseve të negociatave edhe kur bëhen publike, siç po praktikon Kurti, atëherë duhet përcjellë indikatorët apo treguesit e procesit, cili ishte treguesi kryesor që unë po pohoj se e ka pranuar Kurti Asociacionin, treguesi kryesor është deklarata e ambasadorit amerikan Hill i cili menjëherë (të mërkurën) pasi u arrit kjo marrëveshje politike tha ‘nuk bëhet më fjalë për zbatim të Asociacionit por bëhet fjalë se si do të duket Asociacioni’, pra me fjalë të tjerë është punë e kryer, që ka pranuar Kurti që do të hyjë në procesin e bisedimeve për Asociacion dhe zbatim”, shton Tahiri.
Me veprimet e saj, sipas Tahirit, Serbia po i thotë botës se nëse Kurti nuk e pranon Asociacionin, serbët nuk kthehen në institucione.
Tahiri: Serbia po i thotë botës që nëse Kurti nuk hyn në procesin e Asociacionit, serbët nuk kthehen në institucione
“Pse Serbia tërhoqi serbët, për shkak të Asociacionit, jo vetëm për targa, sepse targat besoj që do e kalonin sepse është më shumë teknike, por me këtë rast Serbia dhe Vuçiq po i tregojnë botës nëse Kurti nuk hyn në procesin e Asociacionit as serbët nuk kthehen në institucione”, shton ajo.
Tahiri thotë se është mirë që po largohen barrikadat në veri të Kosovës por, sipas saj, në atë pjesë po mungon sovraniteti.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të dalë me një plan për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të territorit.
Lidhur me këtë ajo përmend marrëveshjen e vitit 2013, çka sipas saj, duhet të jetë bazë për veprimet e qeverisë.
Tahiri: Kurti menjëherë duhet të dalë me planin se si do të shtrijë sovranitetin në veri
“E para është mirë që nuk ka tensione, është mirë që po hiqen barrikadat po bëhet mirë, por çka po mungon, po mungon sovraniteti, ne i patëm institucionet në veri, patëm serbët e veriut të inkuadruar në strukturat e shtetit të Kosovës, kishim zhbërë disa struktura ilegale dhe kriminale, tash ata nuk mund të themi që janë të zhbërë, sepse ata u ringjallën dhe vendosen barrikadat, pra kjo është gjendja, kjo zmbrapsje e veriut nga sovraniteti është punë e madhe që menjëherë Kurti prej nesër ditën e parë, pavarësisht që jemi duke hyrë në festa, duhet të dalë me planin si do të shtrijë sovranitetin në veri”, thotë Tahiri.
Tahiri shton se Qeveria e Kosovës duhet të jetë çdoherë e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë derisa nuk përjashton mundësinë që Serbia të provojë të shkaktojë skenarë të tjerë që prodhojnë tensione. /TV Arbëria