Tabela me shkronja cirilike që mbante mbishkrimin “E dua K. Mitrovica” dhe që ishte vendosur në qytetin e Mitrovicës së Veriut, është larguar këtë mëngjes. Në vend të saj, është instaluar një tabelë e re me alfabetin latin, e cila shënon vetëm emrin “Mitrovica”. Tabela e re pason ndryshimin e referencës paraprake, që në të shkruhej “Kosovska Mitrovica”.
Përveç ndryshimit të tabelës, në vend të saj është vendosur edhe një stemë e re e Komunës së Mitrovicës së Veriut, që është miratuar nga Kuvendi Lokal i Komunës.
Zëvendëskomandanti i Policisë për Veriun, Veton Elshani, ka komentuar këtë ndryshim, duke theksuar se ishte një vendim i Komunës. Ai shtoi: “Ne jemi informuar për heqjen e tabelës së vjetër dhe vendosjen e tabelës së re, por nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje nga ana jonë.”
Tabela me shkronja cirilike, e cila u largua sot, ishte instaluar në gusht të vitit 2020, si pjesë e fazës së dytë të ndërtimit të rrethrrotullimit në kryqëzimin e rrugëve “Kralja Petra Prvog” dhe “Knjaz Millosha”.