Tregu i syzeve me inteligjencë artificiale ka shënuar rritje të madhe gjatë këtij viti, me 4.2 milionë palë të shitura në mbarë botën vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të 2026-s.
Të dhënat e Omdia tregojnë se dërgesat janë rritur për 127 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pjesën dërrmuese të këtij tregu vazhdon ta mbajë Meta. Kompania ka shitur 3.4 milionë palë syze me AI, duke kontrolluar 81.3 për qind të tregut global.
Megjithatë, gara në këtë sektor po bëhet gjithnjë më e madhe. Kompani të tjera kanë nisur të prezantojnë modele të reja, me dizajne dhe funksione të ndryshme, duke synuar përdorime më specifike.
Omdia vlerëson se syzet me inteligjencë artificiale janë ende në fazat e hershme të zhvillimit si kategori produkti. Për këtë arsye, ritmet e rritjes mund të stabilizohen me zgjerimin e tregut.
Krahas konkurrencës, një prej çështjeve kryesore që po shoqëron përhapjen e këtyre pajisjeve është edhe privatësia, sidomos për mënyrën se si mund të përdoren funksionet e regjistrimit dhe mbledhjes së të dhënave.