Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sveçla sërish për inspektime në Urën e Ibrit: S’është temë dialogu në Bruksel, kjo çështje është kryer më 2016

Sveçla sërish për inspektime në Urën e Ibrit: S’është temë dialogu në Bruksel, kjo çështje është kryer më 2016

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qëndruar sot sërish në Mitrovicë, ku bashkë me ministrin për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se po inspektojnë Urën e Ibrit.

Sveçla i pyetur si i komenton deklaratat e QUINT-it dhe KFOR-it se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në Bruksel, tha se kjo çështje është punë e kryer më 2016.

“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla para mediave.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Reagimi i KFOR-it erdhi kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier,  tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

“Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]“, tha Osmani.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.