Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​Sveçla: Rakiq me bandat kriminale po i mirëmbajnë barrikadat në veri

​Sveçla: Rakiq me bandat kriminale po i mirëmbajnë barrikadat në veri

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka akuzuar Goran Rakiq nga Lista Serbe se në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbajnë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se e vetmja gjuhë që “ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave. Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të ketë kompromis me krimin dhe kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit do të ballafaqohet me drejtësinë.

“Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë. Assesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Sveçla.

“Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij”, ka shtuar ai.

 

Themes by WordPress