Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sveçla: Kosova ka synim paqen e stabilitetin, Serbia, destabilizimin e luftën

Sveçla: Kosova ka synim paqen e stabilitetin, Serbia, destabilizimin e luftën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka deklaruar se Kosova nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia dhe se Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.

Ai ka potencuar se deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi.

“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit.”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërkaq “ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato.”.

“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it.”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ai ka shtuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po tenton të cenojë vlerat demokratike që Kosova ka promovuar.

“Kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiçin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë. Andaj, ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qenurit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese.”, ka shtuar tutje Sveçla.

Ndryshe, edhe dy barrikada janë vendosur sot në veri të Mitrovicës.  /TV Arbëria

Powered by WordPress