Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shprehur se si ministri përballen me sfida të ndryshme, që sipas tij, ndër to është edhe çështja e sigurisë së gazetarëve.
“Për sa i takon lirisë së mediave, në momentin që cilido nga ju deklaron se në shoqërinë tonë nuk ka kriminel, atëherë po e shpërbëjmë Policinë e Kosovës, Prokurorinë edhe gjykatat dhe nuk po paguajmë paga për ta. Patjetër që ne ballafaqohemi me sfida, ndër to është edhe çështja e sigurisë së gazetarëve”, tha ai.
Sveçla foli edhe për rastin e sulmit ndaj gazetarit, Valon Syla, ku u shpreh se identifikimi dhe arrestimi i sulmuesve të tij është bërë në kohë rekorde.
“Por, ju e patë edhe në rastin e fundit, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të profesionistëve të Policisë së Kosovës, u bë identifikimi dhe arrestimi në kohë rekorde i sulmuesve të gazetarit, Valon Syla. Ne si institucione të Republikës së Kosovës, por Ministria e Punëve të Brendshme në veçanti, ka si obligim parandalimin, por edhe identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të cilitdo kriminel, kujdo që bën shkelje të ligjit”, u shpreh tutje ai.
/TV Arbëria