Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për arrestimin e Fatmir Shehollit nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe prokurorinë, nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
Në një postim publik, Sveçla ka kërkuar trajtim të këtij rasti me seriozitet të lartë institucional, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rënda kundër sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Individë si ky, që kanë pasur hapësira të pakufizuara mediatike, kanë bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë për të minuar shtetin tonë dhe progresin që kemi arritur. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar,” shkruan Sveçla.
Ai thekson se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtje të vendit nga çdo rrezik i brendshëm apo i jashtëm dhe paralajmëron se kushdo që punon kundër interesave të shtetit do të ndiqet pa kompromis dhe pa ndalur.
“Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale,” përfundon Sveçla.