Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër pas një incidenti të rëndë në kufirin me Serbinë, duke e cilësuar atë si akt të përsëritur agresioni dhe provokimi nga shteti serb.
Sipas Sveçlës, Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës, duke cënuar hapur integritetin territorial të vendit. Ai njoftoi se xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer një qytetar të Kosovës me inicialet M.V. në zonën “zero” të kufirit, e cila ka prani të shtuar të KFOR-it.
“Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it. Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës,” ka deklaruar Sveçla.
Ai kujtoi se ky është një veprim i përsëritur nga Serbia, duke përmendur rastin e dy viteve më parë, kur njësitë speciale serbe hynë brenda territorit të Kosovës dhe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe ngjarjen e rëndë të sulmit terrorist në Banjskë.
“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë,” tha më tej Sveçla.
Ministri në detyrë u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të reagojnë me masa të qarta ndaj Beogradit, në mënyrë që, siç tha ai, aktet armiqësore të Serbisë të mos përsëriten më.
“Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë,” përfundoi Sveçla.