Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Supremja refuzon kërkesën e ZRrE-së për faturimin e rrymës në katër komunat veriore

Supremja refuzon kërkesën e ZRrE-së për faturimin e rrymës në katër komunat veriore

Gjykata Supreme njofton se ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve për katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas komunikatës së kësaj gjykate, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie.

“Nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut”, thuhet e Gjykatës Supreme.

Edhe Gjykata e Apelit me aktgjykimin AA nr. 990/2021, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e të paditurës, ZRRE, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.nr. 1373/17, e ka vërtetuar.

”Kolegji i Gjykatës Supreme lidhur me objektin e çështjes në shqyrtim, konstaton se gjykatat e instancave më të ulëta, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit, dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, (ashtu që nga KEDS rryma e shpenzuar atje bazuar në vendimin e ZRRE-së, u është faturuar qytetarëve të pjesëve të tjera në emër të kthimit të kostove të tjera të humbjeve në sistemimin e transmisionit, pa të drejtë dhe bazë ligjore”, thuhet në njoftim.

/TV Arbëria

Themes by WordPress