Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Supremja reagon ashpër ndaj gjuhës së Alban Krasniqit ndaj gjyqtarit Leku: Sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit të Lekut

Supremja reagon ashpër ndaj gjuhës së Alban Krasniqit ndaj gjyqtarit Leku: Sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit të Lekut

Gjykata Supreme ka reaguar ashpër dhe e ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me gjuhën e Alban Krasniqit, anëtarit të VV-së në KQZ ndaj gjyqtarit Zenel Leku.

Krasniqi kishte thënë se mbiemri i Lekut kishte ngjashmëri me kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Elek, pas vendimit që shkalla e tretë mori lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale.

Supremja vlerëson se kjo gjuhë përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.

Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte.”, thuhet ndër të tjerash në reagim.