Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Suprema rrëzon dy nene të liberalizimit të energjisë – ZRRE: Procesi vazhdon, bizneset ende pa qartësi

Suprema rrëzon dy nene të liberalizimit të energjisë – ZRRE: Procesi vazhdon, bizneset ende pa qartësi

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme ka trazuar sektorin e energjisë në Kosovë.

Gjykata ka shfuqizuar dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke konkluduar se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët.”

Në aktvendim thuhet se mospërputhjet mes ligjit dhe akteve nënligjore kanë ndikuar drejtpërdrejt në cënimin e sigurisë juridike. Për këtë arsye, ndërhyrja e Gjykatës është konsideruar e domosdoshme.

Ky vendim është pritur me lehtësim nga bizneset në vend, të cilat prej vitesh kanë kundërshtuar detyrimin për të kaluar në tregun e hapur të energjisë. Sipas tyre, udhëzuesi që i obligonte kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 50 milionë euro të largoheshin nga Shërbimi Universal ka qenë i paqartë, i padrejtë dhe ekonomikisht i dëmshëm.

Pavarësisht këtij vendimi që pritej të sillte qartësi, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar menjëherë një komunikatë zyrtare. ZRRE deklaron se e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme, por njëkohësisht thekson se ‘procesi i liberalizimit të tregut të energjisë vazhdon’, ndërsa kontratat aktuale të konsumatorëve në tregun e hapur ‘mbeten të vlefshme’.

Kjo deklaratë ka shkaktuar edhe më shumë konfuzion. Nga njëra anë, Gjykata shkruan për pasiguri juridike, ndërsa nga ana tjetër, ZRRE insiston se procesi nuk ndalet dhe se kontratat ekzistuese mbeten në fuqi. Ndërkohë, bizneset raportojnë se faturat vazhdojnë pa ndryshime, sikur vendimi i Gjykatës të mos ekzistonte.

Edhe më shqetësuese është heshtja totale e partive politike parlamentare. Asnjë deklaratë, asnjë sqarim, asnjë qëndrim.

Pyetja që po shtrohet tani është: pse kaq shumë heshtje për një vendim që prek qindra kompani dhe miliona euro kosto energjie?.

Ndërsa Gjykata dhe ZRRE japin mesazhe kontradiktore, bizneset dhe konsumatorët mbeten në një terren të paqartë. Procesi i liberalizimit, që duhej të sillte konkurrencë dhe transparencë, po shndërrohet në një burim të ri pasigurie. Zhvillimet në ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare.