Arabia Saudite tentoi edhe Vinicius Jr, por sulmuesi i Realit të Madridit ka refuzuar propozimin e çmendur, duke preferuar qëndrimin te “Los Blancos”.
“The Athletic” thekson se 24-vjeçari brazilian, një nga kandidatët për fitimin e Topit të Artë, mori një telefonatë nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), që punon në emër të Ministrisë së Sporteve në shtetin saudit.
Dëshira e madhe ishte që Vinicius të shndërrohej në imazhin e Saudi Pro League, veçanërisht në funksion të Kupës së Botës 2034, i cili do të organizohet në Arabinë Saudite.
Al Ahli është klubi që provoi të tundonte goleadorin latin me një ofertë të majme në aspektin financiar, por përgjigja ishte negative.
Arabët i ofruan lojtarit një kontratë 5-vjeçare me një pagë sezonale rreth 200 milionë euro, ndërkohë që ai aktualisht përfiton rreth 11 milionë euro në sezon në La Liga.
Vinicius, i cili ka një klauzolë shitjeje 1 miliard euro, nuk ka ndërmend të lëvizë nga Reali, teksa as drejtuesit e klubit legjendar nuk duan të privohen nga shërbimet e tij.
Sulmuesi u transferua në 2018 nga Flamengo në Madrid për 45 milionë euro dhe deri tani numëron 93 gola në 263 ndeshje në të gjithë kompeticionet me ekipin e Carlo Ancelottit.