Dy anije dyshohet se janë sulmuar nga rebelët jemenas, Huthi, në Detin e Kuq, thanë autoritetet. Anijet u sulmuan afër vendit ku ekipet po tentojnë të shpëtojnë një cisternë të mbushur me naftë, e cila ende është e përfshirë nga flakët, pasi u sulmua nga rebelët jemenas në gusht.
Sulmet besohet se janë të fundit në fushatën e rebelëve që mbështeten nga Irani, e që kanë penguar kalimin e mallrave – në vlerë prej 1 trilion dollarësh – përmes Detit të Kuq.
Rebelët Huthi po kryejnë sulme ndaj anijeve për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.
Sulmet e rebelëve po ashtu kanë penguar dërgesat e ndihmës për Sudanin dhe Jemenin, shtete të përfshira në konflikt.Ndërkaq, përpjekjet për të shpëtuar cisternën me naftë të përfshirë nga zjarri ende po vazhdojnë, teksa ka shqetësime se djegia e saj mund të shkaktojë katastrofë ekologjike, pasi në bordin e cisternës janë 1 milion fuçi me naftë të papërpunuar.