Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Sulmi nga RTK-ja, GPS-i, Raporti i Progresit: A po rrezikohet liria e medias në Kosovë?

Sulmi nga RTK-ja, GPS-i, Raporti i Progresit: A po rrezikohet liria e medias në Kosovë?

Në muajt e fundit ka pasur disa sulme ndaj mediave dhe gazetarëve. Sulmi më i kritikueshmi ishte ndaj Nacionales dhe Periskopit, të cilën e lansoi RTK-ja, e cila ngjarje u përmend edhe në Raportin e Progresit të hartuar nga Bashkimi Evropian. Së fundmi, disa gazetarë, përfshirë Vehbi Kajtazin, Lirim Mehmetaj, Berat Buzhala e Ilir Mirena kanë alarmuar për mundësinë e përcjelljes dhe përgjimit nga ana e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Çfarë ndodhi?

Në fakt, tri ngjarje mund të lexohen si një rrezik i shtuar ndaj lirisë së medias në Kosovë. E para, është sulmi i RTK-së gjatë verës ndaj Nacionales dhe Periskopit. E dyta ëstë ngjarja me dyshimet për përcjellje të gazetareve, që kulmoi me gjetjen e GPS-it në veturën e gazetari Kajtazi. E treta lidhet me gjetjen e Raportit të Progresit, që theksoi përpjekejt e qeverisë për kontroll mbi median.

Gjatë kësaj jave, gazetari dhe analisti Vehbi Kajtazi alarmoi publikun për një pajisje përcjellëse (GPS) në gomën e veturës së tij. Në këtë rast intervenoi edhe Policia e Kosovës, ndërsa Kajtazi shkroi se tashmë nuk ndihet i sigurt.

“Si gazetar që kam shprehur shqetësime të vazhdueshme për perndjekje nga pushteti, kërkoj që të vertetohet se kujt i përket pajisja, kush e ka vendosur dhe a ka bazë ligjore.

Unë tashme nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike.

Pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet. Është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.

Kërkoj që këtë rast ta marr Prokuroria Speciale” – shkroi ditë më parë Kajtazi.

Në Raportin e Progresit, që hartohet nga BE-ja e që u publikua gjatë kësaj jave, u theksua përpjekja të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.

“Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe ka bërë përparim të kufizuar. Disa përmirësime u bënë në lirinë e mediave, duke përfshirë aksesin në dokumente publike. Megjithatë, kjo u shoqërua me zhvillime të perceptuara si përpjekje të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.” – thuhet në raport.

Në këtë raport përmendet edhe publikimi i RTK-së së artikullit të një media boshnjake, e cila kishte kishte në shënjestër dy portale, Nacionalen dhe Periskopin.

“Nuk ka pasur progres në gjetjen e një modeli financiar afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur për transmetuesin publik RTK. Në korrik të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm i RTK-së dha dorëheqje, duke përmendur 34 ndërhyrje politike dhe mosmarrëveshje me Bordin. Është thelbësore që drejtori i ardhshëm të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita, në mënyrë që të sigurohet autonomia institucionale dhe pavarësia editoriale. Më vonë gjatë vitit RTK u kritikua gjerësisht nga publiku për publikimin e një artikulli të huaj që synonte dy portale të lajmeve të Kosovës. Kjo çoi në dorëheqjen e kryetarit të bordit dhe dy anëtarëve të tjerë të bordit. Është thelbësore që bordi të bëhet sërish funksional shpejt. RTK-ja duhet të adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien dhe pavarësinë editoriale. Ndaj menaxhmentit janë parashtruar tri ankesa për diskriminim gjinor; këto janë ende në pritje.” – shkruhej ndër të tjera në këtë raport.

Sjellim ndër mend që në korrik, RTK-ja publikoi një artikull të pakonfirmuar dhe të rremë ndaj Nacionales e Periskopit, i cili kishte ngjallë shumë reagime për instrumentalizimin e RTK-së nga ana e pushtetit. Një instrumentalizim i tillë kishte shtyrë Besnik Boletinin të dorëhiqej nga funksioni i kryetarit të Bordit të RTK-së, nga ku dhanë dorëheqje edhe dy anëtarë të tjerë.

Powered by WordPress