Së paku tetë persona, dyshohet se përfshirë edhe fëmijë, janë therrur me thikë në veriperëndim të Anglisë, ndërsa një burrë u arrestua.
The Guardian ka folur me një banore, tezja e së cilës jeton përballë dhe ka parë ngjarjen. Ajo konfirmoi se po mbahej një ‘seminar ‘workshop’ kërcimi i frymëzuar nga Taylor Swift dhe ndodhi pikërisht kur prindërit po vinin për t’i marrë fëmijët.
Alaina Riley, 18 vjeç, tha se tezja e saj pa prindërit që po dilnin nga klasa e vallëzimit duke i mbajtur fëmijët të mbuluar me gjak.
“Ajo tha se nuk kishte dëgjuar kurrë britma të tilla. Ajo ishte e shqetësuar”.
Punonjësit e shërbimit të urgjencës, përfshirë zjarrfikësit, mund të shiheshin duke mbajtur kokat me duar.
Banorët thanë se dëgjuan sirena dhe një ambulancë ajrore që u ul aty pranë, me fqinjtë që këshillonin njëri-tjetrin t’i mbyllnin dyert e dritaret.
“Ishte rreth orës 12:20, mendoj, dhe ne dëgjuam plot sirena dhe më pas ishte një helikopter që qarkullonte sipër”, tha një grua. “Më pas mesazhet filluan të qarkullojnë nëpër grupet lokale të WhatsApp, duke thënë ‘mbyllni dritaret, mbyllni dyert’. Na thanë se një burrë po vraponte duke goditur me thikë njerëz”.
“Ne të gjithë jemi absolutisht të tmerruar, në panik, të gjithë po përpiqen të kontaktojnë këdo që njohin në zonë. Nuk e di se si mund të ndodhë kjo të hënën në drekë”.