Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama kanë reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Top Channel pak orë pas mesnatës.
Përmes një mesazhi në Facebook, Begaj u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë të kësaj ngjarje kriminale. Po ashtu, Presidenti i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar ngjarjen si një agresion kriminal.
“Agresioni kriminal ndaj Top Channel me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”, tha Rama.
Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!
— Edi Rama (@ediramaal) March 27, 2023
/TV Arbëria