Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Sulmi izraelit në Siri, shkon në 7 numri i viktimave

Sulmi izraelit në Siri, shkon në 7 numri i viktimave

Raketat izraelite kanë vrarë të paktën shtatë persona dhe kanë plagosur 19 të tjerë në Sirinë qendrore, kanë raportuar mediat shtetërore, duke cituar burime lokale.

Sulmi i të dielës ndezi gjithashtu një zjarr dhe shkaktoi dëme materiale pranë qytetit Masyaf, në perëndim të Hamës, sipas “SANA-s”, agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë.

Një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë i tha “SANA-s” se Izraeli nisi një “agresion ajror” nga hapësira ajrore libaneze kundër disa bazave ushtarake siriane.

Burimi shtoi se mbrojtja ajrore siriane u përball dhe rrëzoi disa nga raketat.

Avionët izraelitë kanë nisur sulme kundër Sirisë nga Libani, me gjasë për të shmangur hapësirën ajrore siriane – ku operojnë forca të shumta rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë ato të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Drejtori i spitalit publik në Masyaf tha se viktimat ishin civilë.

Gjatë gjithë luftës civile 13-vjeçare të Sirisë, Izraeli ka kryer rregullisht sulme ajrore në vend – kryesisht duke synuar vende të lidhura me Iranin.

Por ushtria izraelite nuk konfirmon apo komenton operacionet e saj në Siri.

Sulmi i së dielës vjen mes tensioneve në rritje rajonale, me zyrtarët iranianë që ende zotohen t’i përgjigjen vrasjes së shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran në korrik.

Irani, i cili mban një prani ushtarake në Siri, kishte premtuar “dënim të ashpër” për Izraelin për vrasjen, por asnjë sulm iranian nuk është materializuar më shumë se 40 ditë pas vrasjes.