Policia franceze arrestoi të hënën një burrë pasi ai sulmoi me thika tri gra pranë Porte de Clichy në Paris, u tha gazetarëve ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, raporton Reuters.
Burri sulmoi tri gratë, të moshës 19, 24 dhe 36 vjeç, me dy thika kuzhine, duke plagosur rëndë dy prej tyre, tha Nunez.
Një video e publikuar në platformën sociale X dhe e verifikuar nga Reuters tregon një burrë me flokë të gjatë të zinj, i veshur me tuta ngjyrë kremi dhe që mbante nga një thikë të madhe në secilën dorë, duke i goditur me thikë dhe duke u përpjekur t’i sulmonte një grua të re. Nuk është e qartë nëse ajo grua mbeti e plagosur.
Një pjesë tjetër e videos tregon të njëjtin burrë të shtrirë në tokë, të neutralizuar nga kalimtarët, ndërsa dy thikat ndodheshin pranë tij në një vendkalim për këmbësorë.
“Është Allahu ai që më komandoi”, tha burri i shtrirë në tokë.
Nunez tha se burri u ndalua nga një polic jashtë detyrës. “I bëj nderim atij, ishte një akt i guximshëm”, shtoi ai.
Motivi i sulmit mbetet i panjohur, tha Nunez, duke shtuar se policia nuk ka mundur ta verifikojë identitetin e sulmuesit, deklaratat e të cilit ishin “jokoherente” në momentin e arrestimit.
Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit e Francës tha se po shqyrton nëse do të hapë hetim.