Shkruan Afrim Kasolli
Jo vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve të datës 23 shkurt për Bundesdagun në Gjermani, por edhe pas ngritjes spektakulare të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativës për Gjermaninë, në zgjedhjet e mbajtura në disa lande në vitin e kaluar, në mediat të njohura ndërkombëtare nuk kanë munguar analizat profesionale nga sociologjia dhe shkencat politike, se çka po e ushqen këtë rritje të jashtëzakonshme të këtij subjekti politik? I krijuar si reagim ndaj krizës financiare për t’iu kundërvënë politikave ekonomike të partive tradicionale si CDU dhe partisë Social Demokrate, në ndërkohë ajo e pozicionoi vetën në formacion anti emigranteve, anti Bashkimit Evropian, kundër lidhjeve transatlantike, kundër multikulturalizmit, për afrim më të madh me Rusinë si dhe për relativizim të ndjenjës së fajit në shoqërinë gjermane për shkak të përvojës tragjike të Luftës së Dytë Botërore.
Është interesant se në të gjitha panelet diskutuese në shumicën e këtyre mediave, kryesisht kanë dominuar persona me sfond akademik nga ato që quhen si dije humane dhe të njohur për studimet dhe hulumtimet e tyre mbi fenomenin politik të së djathtës ekstreme. Pra e drejta e tyre për të ofruar shpjegim racional publik ishte fituar nga një studim paraprak në fushat përkatëse. Natyrisht, interpretimet socio-politike dhe psiko-sociale, ishin nga më të nduarduartat, mirëpo përafërsisht veçoheshin disa variabla që kishin ndikuar në lulëzimin e këtij fenomeni politik, në fund të fundit jo vetëm në Gjermani, por në përgjithësi në “tregun” elektoral evropian.
“Çuditërisht” në të gjitha këto analiza serioze mungonin teoritë konspirative se liderët e kësaj partie janë të kapur nga ky shërbim apo ai shërbim sekret. Madje, sipas tyre kjo çështje është irelevante, por vetëm arsyeja se pse një narracion i tillë po arrin të shtrihet në shoqëri, edhe përkundër faktit se agjencitë e inteligjencës apo edhe gjykatat në atë shtet e kanë definuar partinë në fjalë si ekstremiste dhe me referenca fashiste.
Sipas një shpjegimi të pranuar gjerësisht, përmendet fakti se popullariteti i lëvizjeve të tilla shtohet kryesisht në kohë të krizave. Pra, çdo herë kur shumica e njerëzve, ndjehen të pushtuar nga frika dhe ankthet e ndryshme, si dhe kapërthehen nga zymtësia për të ardhmen, e deri tek sentimentet se gjërat tashmë janë jashtë kontrollit të tyre, atëherë krijohet një terren pjellor për suksesin e partive si AfD.
Kuptohet, edhe në këtë rast ekzistojnë shumë korrelacione tjera, sikur se gjendja ekonomike, mosha, gjinia dhe niveli i edukimit të elektoratit, por njëri ndër korrelacionet kryesore ndikuese në këto raporte është potencuar që të jetë frustrimi social, se sistemi tashmë më nuk është në shërbim të qytetarëve të thjeshtë, por ai është tjetërsuar. Madje edhe në SHBA është veçuar një korrelacion i madh ndërmjet votueseve për kandidatin republikan Donald Trump dhe mungesës së tyre të shkollimit universitar (voters with no college degrees).
Po ashtu, edhe AFD si dhe parti simotra të saj, ia dalin që ta grabitin politikisht këtë frustrim kolektiv kundër minoriteteve, kundër pluralizmit, e kundër vet demokracisë. Paradoksalisht, mbështetësit e tyre janë në gjendje që të jetojnë edhe në kontradikta të çuditshme, duke i besuar atyre kauzave politike, që mbartësit e tyre i shpërfillin me shembullin e tyre konkret. Bie fjala, një nga pretendimet e këtyre partive është mbrojta e vlerave tradicionale familjare, por vetë njëra nga drejtueset e këtij subjekti, Alice Widel, është e kundërta e këtij besimi konservator religjioz, sepse ajo bashkëjeton më një tajvaneze, etj. E kundërthënie të tilla i karakterizojnë si Presidentin amerikan, Donald Trump, ashtu edhe njërin nga njerëzit më të pasur të planetit, bashkëpunëtorin e tij kryesor, Elon Musk. Sjellje këto, krejtësisht të ndryshme nga ish-Zëvendës Presidenti amerikan Dick Cheney, i cili kur i zbuloi prirjet homoseksuale të vajzës së tij, u tërhoq nga politika, pasi ato binin në antinomi më orientimin tij ideologjik konservator.
Po ashtu, është e vërtetë se AfD nuk e ofron asnjë zgjidhje politike për krizat e sipër cekura, mirëpo ajo krijon një satisifaksion psiko-politik për shkarkim social, ku njerëzit e fitojnë bindjen se në këtë mënyrë mund ta shkatërrojnë atë që është duke i shkatërruar ata. Pra është ky, një riafirmim i politikave të zemërimit, potenca kolektive e së cilës ishte neglizhuar gabimisht nga ndikimi i traditës politike liberale kohën e fundit. Madje, sipas mendimtarit të njohur gjerman, Peter Sloterdijk, në librin “Zemërimi dhe koha: Një Investigim Psikopolitik” (Zorn und Zeit. Politisch-psychologischer Versuch), nuk është e rastësishme që tradita e civilizimit perëndimor fillon më glorifikimin homerik të zemërimit, kur që në hyrje të kësaj vepre monumentale shkruan “këndo o Muzë mërinë e Akil Pelidit”
Sidoqoftë, interpretime të tilla sociologjike në mediat perëndimore, mbase mund të na shërbejnë edhe si dritare për të kuptuar disa nga arsyet e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë. E tëra kjo për shkak të mungesës së atyre vendore.
Nuk ka dyshim, se këto subjekte përdorin referenca të ndryshme, por nuk mund të mohohet fakti i ngjashmërisë së sentimenteve publike që kanë ndikuar në fuqizimin si të njërës ashtu edhe të tjetrës. Mirëpo, mjerisht te ne thuajse nuk asnjë hulumtim serioz mbi këtë trajektore politike. Prandaj, jemi dëshmitar të interpretimeve kuturu sipas interesave ditore partiake, pa i adresuar si duhet shkaqet e asaj që ka ndodhur. Kryesisht dominon rrëfimi se si Albin Kurti, me një aftësi “suprapolitike” “magjike” ia doli ta krijojë një realitet imagjinar në kokat njerëzve të rëndomtë, përkundër faktit se gjendja ishte ideale në realitet.
Dominimi i kësaj atmosferë mbase iu shkon përshtati partive opozitare, sepse në këtë mënyrë e zhveshin vetën nga përgjegjësia se si me sjelljet e tyre e ujitën lulëzimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Për më shumë ato tregojnë se nuk kanë as vullnet t’i korrigjojnë brenda vetës ato patologji si korrupsioni, pabarazitë ekonomike dhe abuzimi më pushtetin që quan në zhgënjimin masiv të opinionit publik me to dhe e shndërruan partinë në pushtet si të vetmen opsion ndaj tyre. Pra, ajo parti që dikur shihej si ekstreme u shndërrua në domosdoshmëri dhe nga një formacion që krijonte frikë u transformua në shpresë. Me këtë nuk them se kjo e fundit është imune nga korrupsioni. Përkundrazi, ndonëse modeli i kësaj të fundit është i ndryshëm. Pra në dallim nga partitë e “regjimit të vjetër” që e përdornin atë për t’i favorizuar individët dhe klanet e fuqishme brenda tyre, “regjimi i ri” po e përdor atë për ta forcuar kolektivisht partinë. Mirëpo, ky i fundit nuk krijon percepcion të drejtpërdrejtë individual. Diçka që i frustron më shumë njerëzit, se sa korrupsioni “abstrakt”.
Mbase, pikërisht kjo edhe është arsyeja që edhe pse disa parti opozitare patën një rritje minore elektorale, megjithatë rezultati i tyre paraqet disfatë edhe më të madhe se në ato të vitit 2021. Sepse në ato kohë, megjithatë Lëvizja Vetëvendosje kishte pak kohë në pushtet. Dhe ajo ia doli të justifikohet se ishte viktime e konspiracioneve anti-demokratike kundër saj. Mirëpo, sot edhe përkundër një pushteti absolut dhe pas katër viteve qeverisje pa rezultate, është dështim i opozitës që ajo ta ruajë një hendek kaq të madh elektoral me këtë të fundit. /TV Arbëria