Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Suedia ofron mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Suedia ofron mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, priti të hënën në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund. Aty u konfirmua mbështetja e Suedisë ndaj Kosovës në proceset euro-integruese, veçmas në anëtarësimin në Këshill të Evropës. Derisa u bë e ditur se kompania suedeze e veturave Volvo pritet të hap së shpejti degën e saj në Kosovë.

Pas takimit me ambasadorin Westerlund, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu, në një konferencë për medie, tha se Suedia e cila udhëheq me Këshillin e Bashkimit Evropian, po punon edhe për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE.

Hyseni-Kryeziu: Suedia ka ofruar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

“Me ambasadorin Westerlund folëm specifikisht për proceset integruese në për të cilat po kalon Kosova dhe atë që Suedia po bën gjatë këtyre muajve kur edhe po udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian. Sigurisht ka mundësi që nga afër të diskutojë qoftë me pesë vendet jonjohëse apo me vendet të tjera që janë të përfshira në proceset integruese, në të cilat është e përfshirë edhe Republika e Kosovës. Këtë po e bën dhe po e mbështetë jashtëzakonisht shumë shtetin tonë. Ne kemi parë se Suedia publikisht dhe hapur e ka ofruar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe ka pranuar edhe aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian. Këtu pozicioni i tyre mbetet pak më i mbyllur për shkak të faktit se ata po udhëheqin me presidencën, jo se ata janë kundër apo kanë vërejtje për këtë çështje”, tha ajo.

Krahas kësaj, Kryeziu-Hyseni, bëri të ditur se ambasadori Westerlund, iu ka konfirmuar se shumë shpejtë kompania Volvo do të hap degën e saj më të re në Kosovë.

Hyseni-Kryeziu: Volvo do të hap degën e saj në Kosovë

“Po punohet jashtëzakonisht shumë që të sjellën investitor të huaj, më specifikisht nga Suedia në Republikën e Kosovës. Me sa duket na u tha se jo shumë larg do të shkojë prej kur Volvo do të hap degën e saj më të re këtu në Kosovë. Jo vetëm Volvo, kemi edhe dy kompani të rëndësishme që tashmë kanë hapur bizneset e tyre”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadori suedez në PrishtinëJonas Westerlund nuk pranoi të prononcohet para mediave në lidhje me këtë takim.

/TV Arbëria

Powered by WordPress