Shkruan Agron Hoti
Strategjia më e fundit e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së do të thotë atë që po e themi që sa kohë: më pak përqendrim i SHBA-së në Evropë e Lindje të Mesme, shumë më shumë në Indo-Pacifik, ku do të gjendet mbi gjysma e ekonomisë botërore.
Frenimi i Rusisë në Ukrainë, frenimi i Iranit në Lindje të Mesme e shpëtuan Evropën dhe Lindjen e Mesme nga ndonjë pushtim rus apo iranian. Të dyja këto ishin fitore e Perëndimit e para se gjithash SHBA-së.
Rusia, siç pritej, dështoi përfundimisht që të dalë e lirë në Oqeanin Atlantik dhe përmes Iranit në Oqeanin Indian. Rusia nuk do të jetë më faktor me peshë vendimtare as në Evropë e as në Azi, përfshirë Lindjen e Mesme. Edhe Irani është dobësuar ndjeshëm në Lindje të Mesme.
Aleanca SHBA-Evropë do të vazhdojë, raportet Evropë-Rusi do të rirregullohen për ta mbajtur një Rusi sado të dobësuar të lidhur me Perëndimin e jo me Kinën.
Në Lindje të Mesme do të vazhdojë aleanca SHBA-Izrael-Turqi-Vende Arabe si boshti i zhvillimit të këtij rajoni me gjithnjë e më pak probleme tash e tutje. Përderisa do të jetë kështu as NATO s’do të ketë më nevojë të zgjerohet. Pritet të kthehet stabiliteti politik dhe ekonomik në Evropë, Rusi dhe Lindje të Mesme në integrim me ekonominë amerikane.
Sa i përket Azisë, SHBA përmes diplomacisë, ekonomisë dhe sigurisë do t’i forcojë aleancat dhe partneritetet me Azinë Qendrore, Jugore (Indinë), Azinë Juglindore dhe Lindore si dhe Australinë në mënyrë që ekonomia në Indo-Pacifik të ecën lirshëm dhe e papenguar apo e padominuar nga ndonjë fuqi rajonale (p.sh. nga Kina) dhe për më tepër të jetë e integruar për ekonominë e Perëndimit të kryesuar nga SHBA.
Ndërkohë në Afrikë SHBA do t’i fryejë ekonomisë liberale përmes ndërtimit të partneriteteve atje si dhe integrimit të ekonomisë afrikane me atë perëndimore, në mënyrë që Afrika e pasur me resurse të prosperojë gjithnjë e më shumë në të ardhmen, por e papenguar nga ndonjë fuqi siç mund të jetë Rusia apo Kina.