Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > STRATEGJIA E ‘POGROMIT’

STRATEGJIA E ‘POGROMIT’

SHKRUAN ARBEN FETOSHI

STRATEGJIA E ‘POGROMIT’

(Manipulimi i Serbisë me trazirat e marsit 2004)

Një tragjedi që nisi në lumin Ibër ku u mbytën tre fëmijë shqiptarë (Egzon Deliu dhe Avni e Florent Veseli) teksa po ndiqeshin nga një grup serbësh, më 17 dhe 18 mars 2004 qe kthyer në episodin më të rëndë të Kosovës së pasluftës. Hetimet e cilësuan rastin si vrasje, por UNMIK-u asnjëherë nuk i zbuloi dorasit.

Revolta qytetare që pasoi, vazhdon të kujtohet mes paqartësisë dhe politizimit. Duke kalkuluar në frustrimin e tyre nga zvarritja e statusit politik, “dikush” e provokoi zemërimin publik dhe pasojat goditën rëndë jo vetëm në jetë njerëzish, prona, monumente e objektet fetare, por edhe në kompromisin politik gjatë procesit të Vjenës.

Decentralizimi, “zonat e mbrojtura” rreth objekteve fetare serbe dhe “privilegje” të tjera si zyrtarizimi i gjuhës e përfaqësimi institucional, u mbivendosën si “nevojë e domosdoshme”. Edhe pse u vranë më shumë shqiptarë (11) se sa serbë (😎 dhe u raportua për “organizatorë” të infiltruar të BIA-s në orientimin e sulmeve, trazirat morën etiketën e “dështimit” ndërkombëtar dhe të dhunës ndaj pakicës serbe.
Orientimi i revoltës si skenar

Ish ministri për “Kosovë dhe Metohi”, Goran Bogdanoviq, e ka pohuar vetë se kishte hyrë në Graçanicë me rreth 30 efektivë të armatosur për ta “mbrojtur” manastirin, ndërkaq sot, në 22 vjetorin e ngjarjeve, ish policë të MUP-it u shfaqën në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Mitrovica e Veriut.

Natyrisht që viktimat meritojnë homazh, dhuna mbetet e dënueshme dhe shkatërrimi i monumenteve i papranueshëm, siç është deklaruar vazhdimisht nga autoritetet ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës, por nëse kemi parasysh raportimet për disa “organizatorë” të dyshuar si kolaboracionistë dhe sidomos kornizimin e Serbisë për “pogrom” ndaj serbëve (një term që nënkupton dhunën e planifikuar ndaj një grupi etnik apo fetar), orientimi i revoltës së 17 dhe 18 marsit duket një skenar i paramenduar.
Fakti që gjatë luftës 1998-1999 nuk kishin ndodhur sulme ndaj objekteve fetare serbe, e përforcon argumentin kundër trazirave si revoltë anti-serbe. Madje, gazetari britanik, Tim Judah ka vlerësuar se vandalizimi i kishave s’ka lidhje me sulm fetar, siç pretendohet nga propaganda e Serbisë.

Në qoftë se analizën e këtyre ngjarjeve e bazojmë në formulën “kosto-përfitim”, atëherë “kompromiset” e Vjenës dhe agresioni i vazhdueshëm i Serbisë tregojnë qartë se cila është pala e dëmtuar në këtë rast.
Pavarësisht zgjidhjes së pranuar për Kosovën multi-etnike, Serbia ka vazhduar strategjinë hibride të destabilizimit me nacionalizmin etno-fetar, sulmet terroriste dhe instrumentalizimin e serbëve si “armë” kundër Republikës së Kosovës.
Korniza e “viktimizimit”
Kornizimi i sotëm i mediave dhe zyrtarëve serbë me termin “pogrom” është vazhdimësi e një matrice të vjetër të “viktimizimit”, që nga Memorandumi i Akademisë së Shkencave (1986).
“Viktimizimi” ishte doktrina mobilizuese e Millosheviqit, e cila edhe sot vazhdon me narrativën e rrejshme të “spastrimit etnik” e të politikës “terroriste” të Kosovës.
Reagimet e institucioneve kryesore ndërkombëtare nuk e kishin nënkuptuar një etiketë të tillë. Këshilli i Sigurimit i kishte cilësuar trazirat si “dhunë të gjerë ndër-etnike”, Human Rrights Vvatch si “dhunë anti-minoritare”, kurse OSBE-ja kishte analizuar rolin e mediave në përshkallëzim.

Mirëpo, Serbia vazhdon ta përdorë “pogromin” si etiketë të propagandës mobilizuese, me qëllim të “viktimizimit” dhe shmangies së përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës.
Ajo e përdor këtë term, jo për ta ndriçuar të vërtetën, por për ta mbuluar atë. Mediat serbe janë “zgjuar” sot me reagime dhe deklarata të kësaj kornize.

Ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, i vlerësoi trazirat si “një nga kapitujt më të vështirë të historisë serbe”, ndërsa drejtori i diplomacisë publike e kulturore, Arno Gujon, shkoi edhe më larg, duke i cilësuar si “krim kundër Krishterimit dhe civilizimit europian”.
Raportet me gënjeshtra të fabrikuara dhe organizime të ndryshme përkujtimore manipuluan edhe 22 vjetorin me thirrjen e peshkopit Teodosije në Graçanicë: “Ne duhet ta ruajmë të vërtetën rreth progromit të Marsit”.
#serbia #propaganda