Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Strategjia e përbashkët e Kurtit dhe Vuçiqit për t’u shfaqur si heronj dhe viktima

Strategjia e përbashkët e Kurtit dhe Vuçiqit për t’u shfaqur si heronj dhe viktima

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka kohë që janë duke e ndjekur një strategji të përbashkët politike sa i përket dialogut të menaxhuar nga Bashkimi Evropian.

Të dy liderët janë duke operuar më imazhin e heronjve edhe viktimave para elektoratit të tyre në raport me detyrimet që dalin nga zbatimi i marrëveshjeve për të cilat janë pajtuar.

Kështu, si njëri ashtu edhe tjetri janë dakorduar para ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, si për Marrëveshjen bazë të Brukselit, planin e sekuencimit në Ohër dhe në rastin e Kosovës për draft-statutin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, me të kthyer në vendin e tyre e kanë mohuar se janë pajtuar për ndonjë marrëveshje. Kanë filluar ta ushqejnë elektoratin e tyre me narracion heroik, sesi janë duke rezistuar të gjitha presioneve të mundshme dhe duke i refuzuar kompromiset politike në dëm të interesave nacionale.

Ky avaz është përsëritur vazhdimisht. Me anë të këtyre driblimeve shihet qartë se si Kurti ashtu edhe Vuçiqi synojnë që ta zhveshin veten nga përgjegjësia politike.

Fillimisht duke e kërkuar fajtorin për metamorfozat e tyre politike te gabimet e atyre që e kanë drejtuar dialogun para se këta ta fitonin pushtetin, dhe në fund te presioni i shteteve perëndimore kundër të cilave nuk mund të dalin, sepse nuk mund të rrezikojnë më shumë.

Kjo lojë e sofistikuar si duket do të intensifikohet në masë më të madhe pasi Komisioni Evropian ta përfshijë si kriter shtesë per procesin e integrimeve edhe zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga plani franko-gjerman për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve

Në këtë mënyrë, si Kurti ashtu edhe Vuçiqi, mbase heroizmin e deri-tanishëm rezistues do të këmbejnë me rolin e viktimës, me arsyetimin se nuk mund të dalin kundër detyrimeve që ua imponon BE-ja, për ta rrezikuar agjendën integruese.

Një gjë të tillë ditë më parë e theksoi edhe vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

“De facto ose de jure, kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”.

Në këtë drejtim, janë të njohura edhe reagimet dhe arsyetimet e Kurtit kundër përfaqësuesve nga opozita gjatë polemikave në Kuvendin e Kosovës, se a janë me “koordinim apo pa koordinim”?

Ndërkohë, këtij skenari ambivalent “heroik dhe viktimizues” mund t’i kontribuojë edhe politika e kushtëzimeve financiare nga Brukseli.

Siç dihet, Komisioni Evropian me 8 nëntor të vitit të kaluar pat miratuar një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 feri në vitin 2027.

Mirëpo, si Serbisë ashtu edhe Kosovës i është bërë e qartë se nuk mund të përfitojnë nga këto fonde të Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, sikur se vendet tjera të rajonit, nëse nuk dëshmojnë përparim në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre.

Dhe kështu të dy liderët do të mund ta kompletojnë këtë skemë me një fund të lumtur, sepse në vend të shkopit, megjithatë ia dolën që ta sjellin karrotën për vendet dhe shoqëritë e tyre.

Themes by WordPress