Shkruan: Afrim Kasolli
Kohën e fundit jeta parlamentare në Kosovë është përballur me një paradoks të veçantë. Kjo e fundit është braktisur nga pushteti, duke e pamundësuar punën e saj.
Një sabotim i tillë i Kuvendit të Kosovës ka ardhur si pasojë e publikimit të disa aferave dhe skandaleve të partisë në pushtet nga mediat dhe insistimit të opozitës për t’i diskutuar dhe adresuar ato. Nuk ka dyshim se publikimi i tyre, sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare, e ka lënduar dhe cenuar imazhin e Lëvizjes Vetëvendosje si një parti që ka pretenduar të jetë e ndryshme nga të tjerat. Prandaj, tashmë ajo nuk do të ballafaqohet me pasojat e veprimeve të veta.
Mirëpo, nëse krahasohet ky refuzim së bashku me bisedat telefonike të figurës gri të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali me drejtues të ndërmarrjeve publike në KEK, si dhe ato Shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, duke përfshirë edhe ish-nënkryetarin e saj, Milan Radoiçiq, atëbotë në listën e zezë të SHBA-ve për krim të organizuar dhe korrupsion, e deri tek sulmet e militantëve të partisë në pushtet kundër Prokurorisë për shkak të hetimeve kundër zyrtarëve qeveritarë, në fakt shpërfaqet strategjia e kësaj partie për dobësim të shtetit në funksion të forcimit të së parës.
Dhe këtë qasje kemi pasur ta shohim edhe në politikën e jashtme, ky kryeministri i Kosovës me shumë ka preferuar të përfshihet në zgjedhjet e brendshme në disa shtete të botës, për shkak të preferencave partiake dhe personale, se sa forcimit diplomatik dhe ndërkombëtar të interesave shtetërore, (Maqedonia e Veriut është shembulli më i freskët i kësaj anomalie).
Në këtë drejtim, shpërfillja e tanishme e Kuvendit, si dhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, janë një metodë e mirëkalkuluar për ta diskredituar punën e tyre më qëllim të sforcimit ta narracionit populist se vetëm kjo parti është përfaqësuese e popullit. Të gjithë të tjerët janë mbetje e “ish regjimit të vjetër” që nuk kanë kredibilitet për ta sfiduar atë, sepse në këtë mënyrë ata janë duke iu kundërvënë vullnetit autentik dhe drejtësisë popullore. Janë të njohura sulmet brutale, si të kryeministrit Kurti ashtu edhe të zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, se Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet pjesë e garës elektorale.
Në anën tjetër, për aq kohë sa në Kuvendin e Kosovës ende ekzistojnë edhe përfaqësues të partive opozitare ai vazhdon të jetë i tjetërsuar dhe nuk ka arritur të çlirohet plotësisht nga fantazmat e së kaluarës. Kështu, çdo tendencë për të kërkuar përgjegjësi për qeverisjen saj nuk është popullore. Madje mbështetësit e saj janë të bindur se edhe kapja ndërmarrjeve publike nga Dejona Mihali është legjitime, sepse veprime të tilla janë funksion të forcimit të partisë.
Në këtë drejtim, kjo parti duke e injoruar punën e Kuvendit si dhe duke e orientuar artilerinë e sulmeve politike kundër pushtetit të tretë në vend, mëton ta vazhdojë dobësimin e tyre, deri sa në fund të mos mbetet asnjë qendër tjetër e mundshme e pushtetit që të ketë mundësi t’i kundërvihet asaj.