Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.
“Diskutimet do të bazohen në raportin e Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së të dërguara në Kosovë, kur u futën masat. Unë vetëm mund të konfirmoj, pa diskutuar publikisht proceset aktuale në Këshill, se raporti është para finalizimit dhe do t’u dorëzohet vendeve anëtare”, tha Stano sot në një konferencë për media.
Për sa i përket afatit dhe përmbajtjes, Stano tha se nuk mund të bëjë komente, pasi këto janë procedura të brendshme në kuadër të Këshillit Evropian.
Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave, duke thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet.
Kurti tha javën e kaluar se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, shkruan Reporteri.
“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti të enjten gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian.
Kosova po kërkon heqjen e masave të vendosur nga blloku evropian pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.
Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).