Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Standardet e dyfishta të BE-së që po shkretojnë Ballkanin

Standardet e dyfishta të BE-së që po shkretojnë Ballkanin

Shkruan Agron Hoti

Sipas të dhënave zyrtare të BE-së në vitin 2022 tregtia (mallra e shërbime) e BE-së me Rusi e Kinë bashkë me investimet e dyanshme kishte arritur në gati 2 trilionë EUR (shih linkun https://policy.trade.ec.europa.eu/eu-trade-relationships-country-and-region_en). Palla s’i hante BE-së që Rusia në vitin 2008 e kishte pushtuar 10% të Gjeorgjisë, në vitin 2014 10% të Ukrainës, përfshirë Krimenë, ndërsa Kina në vazhdimësi sikurse dhe sot po bënte gjenocid mbi popullsinë ujgure, gjersa po vidhte – sikurse edhe sot – pronësinë intelektuale të pothuajse tërë botës perëndimore, diçka e paparë e këtyre përmasave brutale më parë.

Çuditërisht BE s’e pati ngritur fare zërin kundër mbajtjes së Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi në vitin 2018 dhe kundër Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë në vitin 2022. Ishte verbuar pas meg-atregut rus e kinez, pavarësisht qeverisjeve despotike nëpër këto vende. Mjerisht, për shumë liderë të BE-së Putini qe bërë model burrështeti, bile shumë sosh e ftonin edhe nëpër dasma e ahengje.

E kur është fjala për mos-investimet në Ballkan, BE gjithmonë arsyetohet duke thënë se Vendet e Ballkanit s’po e luftojnë sa duhet korrupsionin dhe krimin e organizuar. E pyetjet që duhet shtruar janë këto: A s’shkonin veprimet e Kinës e Rusisë shumë përtej korrupsionit dhe krimit të organizuar të Ballkanit?! A ishte Ballkani ai që bëri agresion në Ukrainë apo Rusia?! A ishte Ballkani ai që po bënte gjenocid ndaj ujgurëve apo Kina?! A ishte Ballkani ai që po vidhte pothuajse tërë pronësinë intelektuale të Perëndimit apo Kina?! A më i rrezikshëm për BE-në është korrupsioni i Ballkanit apo pushtimet ruse të tokave evropiane bashkë me gjenocidin e Kinës mbi ujgurët dhe vjedhjet e Kinës të pronësisë intelektuale të Perëndimit?!

A thua mos vallë prapa mos-investimeve të qëllimshme të BE-së në Ballkan fshihet politika e saj për të na e currë (marrë) rininë për ta mbajtur gjallë ekonominë e saj të goditur rëndë nga rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë? Paramendoni, sikur BE menjëherë pas rënies së komunizmit (1991) ta kishte financuar sektorin privat në Ballkan, arsimin, pastaj lidhjen e kryeqyteteve të Ballkanit me autostrada, hekurudha e porte detare moderne dhe të kishte zhvendosur fabrika në Ballkan siç bëri në Rusi e Kinë, sigurisht që gjendja ekonomike sot në Ballkan do të kishte qenë shumë më e mirë dhe kjo padyshim që do ta kishte parandaluar shpopullimin brutal që po e shkreton rajonin. A.H.