Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Standarde të dyfishta dhe diskriminim fetar, reagim ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës

Standarde të dyfishta dhe diskriminim fetar, reagim ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës

Vendimi i Komunës së Prishtinës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike për t’ia ndaluar Bashkësisë së Popullit të Zotit organizimin e një aktiviteti më 9 maj në hapësirë publike, me arsyetimin se aktivitetet me përmbajtje fetare duhet të zhvillohen vetëm në objektet e kultit, është cilësuar si diskriminues dhe me standarde të dyfishta në trajtimin e bashkësive fetare në kryeqytet.

Në reagimin e tij, Basri Bekes vlerëson se ky vendim paraqet një qasje të papranueshme institucionale dhe njëanshmëri në raport me liritë fetare dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Sipas tij, shtrohen një sërë pyetjesh lidhur me praktikën e deritanishme në kryeqytet, përfshirë përshtatjen e orarit mësimor gjatë muajit të Ramazanit, dekorimet publike në sheshin e Prishtinës gjatë këtij muaji, si dhe aktivitete të tjera me karakter fetar që zhvillohen në hapësira publike.

Ai thekson gjithashtu se, nëse këto praktika lejohen ose mbështeten institucionalisht, atëherë ndalimi i një komuniteti tjetër fetar për organizim paqësor në hapësirë publike përbën, sipas tij, trajtim të pabarabartë.

Në reagim thuhet se institucionet publike nuk duhet të funksionojnë me standarde selektive apo të bazuara në preferenca ideologjike ose numerike, duke kujtuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton liri dhe barazi fetare për të gjithë qytetarët.