Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, tha se deklarata për personat e zhdukur, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të martën i barazon në përgjegjësi të dyja palët.
“Unë e kam një ndërhyrje të shkurtë, se nuk dëshiroj të përfshihem te ky debat”, tha fillimisht Shala dhe më tej shpjegoi se pse Kosova, sipas tij, ka marrë po aq përgjegjësi sa Serbia, për çështjen e të zhdukurve.
“Është edhe mirë, edhe thelbësore që t’i lexojmë me saktësi ato që i marrim përsipër. Pra, nëse e shihni tekstin e deklaratës, pas kokës së saj që e përbën preambulën, ka një formulim të tillë: Angazhohemi së bashku… Pra, kemi të bëjmë me dy palë që marrin përsipër së bashku gjithçka që përmban deklarata. Aq sa merr përsipër Serbia, merr përsipër edhe Kosova për të njëjtën çështje”, tha Shala.
“Ky është barazim. Kaq”, përfundoi deputeti i LDK-së.
/TV Arbëria