Që kur ishte marr vendimi për zbatimin e rregullores së BQK-së për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës, Qeveria ishte arsyetuar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë vendim dhe se ai është vendim i institucioneve të pavarura kushtetuese. Në disa raste si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi, kishin deklaruar se kjo rregullore ka të bëjë me respektimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Madje para pak dite i pari pat deklaruar se as nuk ka pasur informata për këtë vendim të BQK-së. Dhe po ashtu si njëri ashtu edhe tjetri deklaronin se nuk do ta pranonin të negocionin për këtë vendim sovran.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, insistonin në ndryshimin e këtij vendimi. Kërkonin një periudhë më të madhe tranzicionale.
Si dhe ngulmonin se kjo “çështje duhet të adresohet më tej një kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”. Një kërkesë të tillë në mënyrë të prerë e kishte potencuar edhe Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, gjatë fjalimit të mbajtur për këtë temë në Këshill të Sigurimit, se vendi i duhur ku duhet të adresohet kjo temw është dialogu në Bruksel dhe jo ky institucion.
Kështu, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, u bëri ftesë të dy palëve që të kthehen në tavolinë e bisedimeve në Bruksel. Qeveria e Kosovës në këtë rast e zbatoji një strategji tjetër tinëzare, duke e refuzuar në njërën anë pjesëmarrjen, mirëpo në anën tjetër duke e “dërguar” delegacionin e Bankës Qendrore të Kosovës që të bëhet pjesë e këtij aranzhimi. Vetë krye negociatori i Kosovës, Besnik Bislimi kishte hedhur akuza ndaj nikoqirit të takimit me arsyetimin se nuk mund ta negocioi një vendim sovran.
Kështu, pas takimit, të 24 shkurtit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se bisedimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ishin “një hap i parë i rëndësishëm”, por se “shumë pyetje politike” mbeten ende pa përgjigje. Prandaj, sipas tij duhen takime shtesë në nivel të krye negociatorëve.
Ndërkohë, sipas burimeve të Evropës Lirë, një takim i tillë është paraparë që të mbahet me 19 mars, në Bruksel dhe pritet që krahas diskutimeve për planin e sekuencimit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të adresohen edhe çështje të tjera, sikur se përfshirja në diskutime e temës së dinarit.
Kjo sallto e befasishme politike e pushtetit aktual, nuk është asgjë tjetër pos shprehje metaforike e asaj që mund quhet si “rënie e lirë e sovranitetit”. Sepse me anë të këtyre polikave “sovraniste” të momentit, po rikthehet në të njëjtat pozicione fillestare, por se tani vetëm pas dëmtimit të raporteve diplomatike me vendet partnere të shtetit të Kosovës. Një humbje kjo e dyfishtë. Edhe dorëzim i sovraniteti dhe përkeqësim i raporteve me SHBA, siç ka ndodhur kohën e fundit.
/TV Arbëria