Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po shndërrohen fitoret e brendshme të Kurtit në humbje të Kosovës dhe anasjelltas humbjet e Vuçiqit në fitore të Serbisë?

Si po shndërrohen fitoret e brendshme të Kurtit në humbje të Kosovës dhe anasjelltas humbjet e Vuçiqit në fitore të Serbisë?

Shkruan: Afrim Kasolli – Në politikë shpeshherë dikush fiton duke humbur e dikush humb duke fituar. Një logjikë e tillë mbase e ka karakterizuar Kosovën kohën e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.

Prej se ka ardhur një pushtet, Albin Kurti, nëpërmjet disa refuzimeve i ka korrur një varg fitoresh të brendshme politike para elektoratit të tij në raport me komunitetin serb në Kosovë.

Qeveria e Kurtit nuk e ka lejuar organizimin e votimit për qytetarët serbë të Kosovës në referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese, më 16 janar të vitit 2022, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta lejuar një gjë të tillë. Po ashtu, të njëjtën gjë e ka bërë edhe me zgjedhjet.

Listës së këtyre refuzimeve mund t’i shtohet edhe ai për targat. Përkundër thirrjes së faktorit ndërkombëtar dhe veçanërisht SHBA-ve, konkretisht Sekretarit të shtetit, Anthony Blinken, për një shtyrje të afatit prej dhjetë muaj për riregjistrim të targave ilegale, kjo kërkesë s’u mor parasysh.

Madje në komunikatën e lëshuar atë botë nga Departamentit amerikan të Shtetit thuhej se “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”.

Kjo logjikë ka vazhduar edhe me tensionet që u krijuan pas zgjedhjeve në katër komunat veriore kur u zgjodhën katër kryetarë shqiptarë. Thirrja e diplomatëve ndërkombëtare ishte që ata ta ushtronin përkohësisht veprimtarinë e tyre në objekte alternative, me qëllim që të shmangeshin tensionet ndëretnike.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës e refuzoi një këshillë të tillë më argumentin se objektet komunale janë pronë të Republikës dhe jo të bandave fashiste të diktuara dhe okrestruara nga Serbia.

Ndërkohë, pak pasi emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, kishte deklaruar se “dorëheqja e kryetarëve në veri është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për mbajtjen e zgjedhjeve atje, ministri Elbert Krasniqi ishte përgjigjur tërthorazi se “kjo kërkesë është e Serbisë”.

Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës, pat refuzuar çdo opsion tjetër për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore, pos nëpërmjet nënshkrimit të peticionit nga qytetarët serbë në atë pjesë, dokument tashmë i dorëzuar pranë KQZ-së për verifikim.

Mirëpo, këto fitore të brendshme politike të Kurtit, mund të thuhet se janë përkthyer si humbje të shtetit të Kosovës në procesin e dialogut dhe marrëveshjeve të dakorduara me Serbinë.

Kështu, Kosova është pajtuar me Serbinë si në marrëveshjen e Brukselit ashtu edhe të Ohrit, për normalizim të raporteve me shtetin fqinj pa pasur nevojë që Serbia ta njohë Kosovën. Pra në këtë mënyrë, Serbia e ka fituar zotimin ndërkombëtar të Kosovës për normalizim të mosnjohjes shtetërore. Po ashtu, Kosova është pajtuar për tejkalim të trashëgimisë së të kaluarës.

Rrjedhimisht, Vuçiqi ia ka arritur që ta detyrojë Kosovën që ta marrë si obligim ndërkombëtar mos adresimin e krimeve të shtetit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Ndërkohë, me draft statutin e Asociacionit ajo ka fituar të drejta shtesë për komunitetin serb, të cilat dalin jashtë rendit kushtetues të Kosovës dhe që për instancë finale për ta do të jetë arbitrazhi ndërkombëtar.

Në fund edhe përkundër këtyre lëshimeve Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese nga BE-ja, dhe më kryesorja për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të konsiderohet si palë që po i provokon dhe nxitë tensionet.

Si pasojë e këtij paradoksi sot kemi ardhur në atë situatë që fitoret e brendshme politike të Kurtit janë shndërruar në humbje shtetërore, kurse humbjet politike të Vuçiqit në Kosovë në fitore shtetërore të Serbisë në arenën ndërkombëtare.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

Themes by WordPress