Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e “tradhtoi” BE-ja vetveten për Vuçiqin?

Si e “tradhtoi” BE-ja vetveten për Vuçiqin?

Që kur ka filluar, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para më shumë se një dekade, në vazhdimësi është thënë; se ky proces ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e agjendës evropiane së dy vendeve.

Pra, rruga drejt BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, supozohej se do të kalonte nga progresi në këtë proces. Natyrisht, shteti ynë shpresonte që në këtë mënyrë, po ashtu kur Serbia t’i afrohej integrimit në BE, ta fitonte njohjen prej saj, një kusht ky për zhbllokimin ndërkombëtar të shtetësisë.

Mirëpo, sot pas më shume se 14 vite të negociatave, dialogut, takimeve, tensioneve, e (mos)marrëveshjeve të një pas njëshme, thuajse asnjëri nga këto synime nuk është arritur. Për më shumë rrjedha e këtij procesi ka prodhuar rezultatet të kundërta në raport me qëllimet fillestare të tij. Pra Kosova është gjithnjë e më larg anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare ku do të vulosej shtetësia e saj edhe në këtë drejtim.

Kurse politika shtetërore e Beogradit, në vend se ta përdor këtë proces konfrom qëllimeve zyrtare të dialogut, në të vërtetë i ka ushqyer sentimentet anti-BE, si dhe i ka përndezur ndjenjat revanshiste në shoqërinë serbe kundër Kosovës. Pra ajo ka e interpretuar dialogun para elektoratit të brendshëm, jo si një mjet për t’u pajtuar me Kosovën për hir të së ardhmes së përbashkët evropiane, por ka manipuluar me të duke e portretizuar vetëm si një mundësi për të blerë kohë, deri kur të krijohen kushte për rikthimin përfundimtar shtetit serb në Kosovë.

E ky shpërdorim, instrumentalizim dhe manipulim kurrë më shumë se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi me 17 dhjetor, nuk është manifestuar. Dhe kjo jo vetëm për shkak lojërave subversive të presidentit aktual të këtij shteti Aleksandër Vuçiq, por edhe të temave që janë duke dominuar këtë fushatë.

Kështu, sipas analistëve dhe njohësve të këtyre zhvillimeve, kjo fushatë ka treguar qartë se “narracioni mbi Kosovën, sjell përfitime politike, kurse BE-ja jo. Pra BE-ja ka një imazh gjithnjë e më të keq në Serbi, prandaj rruga evropiane nuk është më moto e partive politike serbe në këtë fushatë, por Kosova sërish është bërë njëra nga temat kryesore”, shkruan mediumi i njohur gjerman DW.

Prandaj, fakti se “rruga evropiane e Serbisë, nuk luan asnjë rol në këtë drejtim, kurse kjo fushatë është shndërruar në një shfaqje karnevaleske për mbrojte të “integritetit territorial të Serbisë, me Kosovën si pjesë, për respektim të kushtetutës” etj, mbase dëshmon edhe për qasjen e gabuar që ka ndjekur edhe vet BE-ja deri me tani ndaj Serbisë.

Për mirëkuptimin dhe dashamirësinë konstante që e kanë dëshmuar liderët evropianë ndaj kësaj politike shizofrenike edhe me Rusi dhe me BE, si dhe për tolerimin që e kanë demonstruar ndaj liderëve sikur se Presidenti Vuçiq, me shpresën se ky i fundit do ta orientojë përfundimisht këtë shtet në gjirin e Evropës.

Madje, edhe deri para sulmit në fshatin Banjë, nga një grup i organizuar terrorist dhe paramilitar serb, ai shihej edhe më bashkëpunues në sytë e shumë diplomatëve ndërkombëtarë në raport me Kosovën, ndonëse edhe pas këtij sulmi nuk ka ndonjë masë penalizuese ndaj tij dhe shtetit që e drejton. Deri më tani është thënë se sjellja e Serbisë vetëm po vëzhgohet, kurse mbi Kosovën edhe pse e sulmuar, ende janë në fuqi masat sanksionuese të BE-së.

Kurse vetëm kohët e fundit zyrtarë nga Brukseli por edhe përfaqësues nga shtetet të veçanta, kanë filluar ta përkrahin idenë, se si Serbia ashtu  edhe Kosova nuk do të mund të përfitojnë nga fondi i BE-së për ri ngritjen ekonomikë të rajonit nëse nuk dëshmojnë vullnet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin e zbatimit të Ohrit.

Po ashtu, po diskutohet mundësia e përfshirjes së neneve të kësaj marrëveshje në kuadër të kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim. Mirëpo, që ka gjasa që edhe në këtë rast ky entitet të mos ndërtoje një politikë unike dhe të dështojë karshi Serbisë, ashtu siç edhe ka dështuar që nga të paktën që nga viti 2012 kur ky shtet është vend kandidat për në BE, dhe në saj të këtij statuti ajo ka rritur të përfitojë çdo vjet nga fondet e para anëtarësimit së paku 300 milionë euro.

Financa këto, që në vend se të përdoreshin për përmirësimin e jetës konkrete të qytetarëve, në të vërtetë siç ka pohuar kohë më parë, Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjeje e Demokracive në Uashington, në një intervistë për REL, kanë përfunduar në forcimin e atij klani politik që është angazhuar për destabilizimin gjeopolitik të rajonit dhe për të minuar përpjekjet perëndimore për stabilizimin dhe demokratizimin  Ballkanit Perëndimor.

Kështu, një investim i tillë i gabuar ka ndikuar që madje sot fati integrues i vendeve të kësaj pjese të Evropës të jetë peng i kësaj politike të dëmshme dhe të gabuar me epiqendër në Beograd. E tëra kjo, edhe për shkak te keqkalkulimeve strategjike faustiane të BE-së që duke bërë “pakt me djallin” pretenduan se do ta bëjnë për vete në skemën e madhe gjeopolitike të trandjeve planetare.

/TV Arbëria

 

 

Powered by WordPress