Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Shkeljet e vazhdueshme nga Serbia të Marrëveshjes së Brukselit

Shkeljet e vazhdueshme nga Serbia të Marrëveshjes së Brukselit

Kosova dhe Serbia ishin dakorduar publikisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian me 24 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas planit franko-gjerman.  Më qëllim të zbatimit të asaj që u quajt si Marrëveshje bazike, po ashtu dy vendet u pajtuan më 18 mars, për aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëbotë e kishte cilësuar këtë marrëveshje si njohje “de facto të Kosovës nga Serbia”. Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuciq, pas përfundimit të këtij takimi maratonik, kishte deklaruar “ se u arrit njëfarë marrëveshje”.

Nënshkrimet mungonin, mirëpo, kjo nuk e kishte penguar si Bashkimin Evropian ashtu edhe ShBA-të, që ta konsideronin këtë marrëveshje si obligim ligjor ndërkombëtar për të dyja vendet. Sidoqoftë, në terren pak kanë ndryshuar gjërat. Ka vazhduar cikli i tensioneve edhe krizës, edhe për shkak të shkeljes së kësaj marrëveshje që e ka bërë Serbia.

Fillimisht, Beogradi i kishte detyruar serbët e Kosovës që t’i braktisin institucionet e Kosovës, duke e shkelur frymën e kësaj marrëveshje.

Por, dhunimi më flagrant i saj kishte ndodhur më 24 shtator, kur grupe të armatosura paramilitare dhe terroriste nga Serbia e sulmuan Kosovën në fshatin Banjë në pjesën veriore, ku mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku.

Ky akt e cenonte nenin 3 të Marrëveshjes bazë i cili thotë, “ se në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”.

Pa kaluar shumë kohe, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar një letër Bashkimit Evropian ku konfirmonte se shteti i saj nuk do t’i zbatonte nenet e kësaj marrëveshje, të cilat sipas saj paraqesin shkelje të interesave të Serbisë, e që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, shteti serb është angazhuar dhe ka lobuar maksimalisht për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këto entitete supra-nacionale. Mobilizimi diplomatik i këtij shteti për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është rast tipik i kësaj qasje. Madje, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte krijuar një ekip të posaçëm kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një veprim i tillë, po ashtu, bie në kundërshtim me nenin 4, ku thuhet qartë se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Ndërkohë, neni 1  marrëveshjes bazë pohon që “të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat”.

Mirëpo, kjo nuk e ka penguar shtetin serb, që të lëshojë dokumente udhëtimi nga disa zyre administrative ilegale të ashtuquajtura zyre për Kosovën. Për më tepër, Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian, ka marrë vendim për liberalizimin e vizave për bartësit e këtyre pasaportave, që paraqet një shkelje të këtij neni.

Ndalimi i para disa ditëve të qytetarëve nga Kosova nga autoritetet serbe në vendkalimet kufitare serbe pa asnjë arsyeje, shënon vetëm episodin e fundit të shkeljeve serike që shteti serb i ka bërë obligimeve dhe detyrimeve që ka ndaj Marrëveshjeve që i ka pranuar me Kosovën me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Mbase kjo edhe është njëra nga arsyet kryesore që dje Bashkimi Evropian ka vendosur ta kushtëzojë integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky ndryshim, ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën do të bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në Unionin Evropian.

/TV Arbëria

Powered by WordPress