Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në manifestimin e organizuar nga OJQ “Romani Baht” në bashkëpunim me Partinë Përparimtare Rome, të drejtuar nga deputeti Erxhan Galushi, në shënim të 8 Prillit, Ditës Botërore të Romëve.
Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përcolli një letër përshëndetëse te të pranishmit që u lexua nga këshilltarja e tij, Nurie Shala.
Të nderuar anëtarë të Partisë Përparimtare Rome,
I nderuar kryetar Erxhan Galushi,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
” Në pamundësi që të jem sot i pranishëm në festën tuaj, më lejoni që përzemërsisht të ju uroj Ditën Ndërkombëtare të Romëve.
Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim. Prandaj kemi punuar dhe angazhohemi vazhdimisht bashkërisht për të drejta të barabarta individuale dhe kolektive të përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve. Me këtë synim së bashku kemi hartuar Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026, si dhe kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Kemi themeluar Ekipin Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa 100 të rinjve, me prioritet atyre nga komunitetet joshumicë, iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare. Kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, Superpuna, andaj i inkurajoj të gjitha të rejat dhe të rinjtë nga komuniteti rom, që të aplikojnë në këtë platformë.
Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale”- thuhet mes tjerash në urimin e Kurtit.
/TV Arbëria